Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri
E Marte, 17.09.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Zenun Pajaziti, temë diskutimi ishte çështja për nismën legjislative për hartimin e projektligjit për shërbimin gjeologjik.
Pas sqarimeve që dhanë përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht nga Instituti Gjeologjik i Kosovës, anëtarët e komisionit formuan grup pune lidhur me draftimin e këtij projektligji.
Në vijim, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën edhe Planin e Punës së Komisionit për sesionin vjeshtor të vitit 2013.
Ndërkaq, pas disa kritikave që ata shfaqën lidhur me vendimin e javë më parë të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari -Lila për ndalimin e qarkullimit të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, anëtarët e komisionit u dakorduan që lidhur me këtë çështje të ftojnë për raportim në komision gjatë javës së ardhshme ministren Kusari-Lila.