Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane u takua sot me Volker Münchow, deputet i Landit të Nordrhein-Westfalen (SPD) dhe delegat në Komisionin Evropian

E Premte, 13.09.2013




Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetari i komisionit, Lutfi Haziri, priti sot deputetin e Landit të Nordrhein-Westfalen (SPD) dhe delegatin në Komisionin Evropian, Volker Münchoë.

Me këtë rast, Lutfi Haziri, duke folur për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, tha se kjo ka ndodhur edhe falë një politike aktive të Bundestagut gjerman, të cilët kanë pasur një rol aktiv, duke e kushtëzuar Serbinë paralelisht dhe duke e mbështetur Kosovën në proces.
Ai duke folur për liberalizimin e vizave tha se Kosova është vendi i vetëm në Ballkan dhe Evropë që ka kufizim në qarkullim të lirë të njerëzve. "Liberalizimi i vizave është një proces që duhet të qartësohet dhe të përmbyllet sa më shpejt", tha Haziri.

Ndërsa, anëtari i komisionit dhe nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke folur për sfidat e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, tha se këto sfida krahasuar me vendet tjera të rajonit nuk janë të njëjta. Konjufca tha se rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane dallon nga rruga normale që e kanë pasur shtetet tjera.

Më tej ai shtoi se nuk ka ndonjë subjekt politik në Kosovë që ka aspirata anti-evropiane, ndërkaq, shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e pandërprerë të shtetit gjerman, para dhe pas pavarësisë së vendit.
"Ju mund ta ndihmoni Kosovën sidomos në sfidat që ka ky vend me gjendjen sociale dhe ekonomike", tha Konjufca, duke përmendur ngecjen e vendit në aspektin e zhvillimit ekonomik.

Gjatë këtij takimi folën edhe anëtaret e komisionit, Vjosa Osmani e Suzan Novobërdali. Me këtë rast Novobërdali, foli për vështirësitë nëpër të cilat po kalon Kosova në rrugën drejt BE-së, ndërsa
Osmani duke përmendur mes tjerash ndihmën e shtetit gjerman për mundësitë e studimit të një numri të madh të rinjsh, tha se do të ishte mirë që Gjermania të rrisë numrin e bursave për studentë nga Kosova që të studiojnë në universitete me renome botërore, të cilët do të sjellin përvojën e tyre në Kosovë.

Ndërkaq, Volker Münchow, deputet i Landit të Nordrhein-Westfalen (SPD) dhe delegat në Komisionin Evropian, pasi foli për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Kosovë, tha se Kosova është në rrugë të drejtë, në rrugën drejt BE-së, ndërsa shtoi se Gjermania do ta thellojë edhe më tej bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme.

Komisioni për Integrime Evropiane u takua sot me Volker Münchow, deputet i Landit të Nordrhein-Westfalen (SPD) dhe delegat në Komisionin Evropian