Lajmet e fundit
Aktivitete të GGD-ës për fuqizimin e grave në zgjedhjet lokale
E Enjte, 12.09.2013
Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me UN-Women ndau sot 22 certifikata për pjesëmarrëset në trajnimin "Komunikimi, aftësitë e prezantimit dhe qasja në media". Ky trajnim u organizua në saje të nismës së GGD-ës me qëllim që gratë, kandidate të reja për zgjedhjet lokale apo qendrore, të përgatiten sa më mirë për garën zgjedhore. Trajnimi është mbajtur në fillim të korrikut i përkrahur nga Un-Women.
Me këtë rast kryetarja e GGD-së znj. Teuta Sahatqija para të pranishmeve tha se ka kënaqësinë që pas një trajnimi të rëndësishëm nga ekspertja e mediave, znj. Xheraldina Vula, vijueset kanë marrë informacione të vlefshme për paraqitje publike. Deputetet janë të interesuara që të fuqizohen gratë që nga niveli lokal dhe të inkurajohen ato për sendërtimin e potencialit të tyre për të marrë përgjegjësi në institucione, qoftë qendrore,qoftë lokale . Ajo falënderoi Flora Maculen dhe UN-Women në Kosovë që janë gjithmonë përkrahëse të GGD-ës dhe aktiviteteve tjera të grave.
Pastaj fjalën e mori Flora Macula e cila u shpreh:"Ne bashkë me ju po punojmë në shumë aspekte, në radhë të parë për të përmirësuar kushtet jetësore". Ndërkaq, znj. Xheraldina Vula porositi pjesëmarrëset që të angazhohen në ngritjen e tyre,sepse vetëm ashtu ato do të mund t' i ndihmojnë të ngriten edhe gratë tjera.
Në emër të pjesëmarrëseve u falënderua Elheme Hetemi. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe deputetja Lirie Kajtazi.