Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në konferencën me temë: Qasja në informata, këshilla dhe ndihmë aktive
E Premte, 13.09.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë sot në konferencën me temë: "Qasja në informata, këshilla dhe ndihmë aktive",që u mbajt në Prishtinë,organizuar nga Programi për të Drejtat Civile në Kosovë ,kryesuar nga kryetari i këtij Programi, Naim Osmani. Pasi përshëndeti të pranishmit, kreu i legjislativit të vendit Krasniqi shprehu mirënjohje ndaj të gjithë kontribuuesve ndërkombëtarë për avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, në përgjithësi dhe të ndihmës konkrete për qasje në informata e në këshilla dhe ndihmë aktive, në veçanti. Qasjes në informata, këshillave dhe ndihmës aktive për qytetarët, Kosova u ka dhënë rëndësi, duke i bërë kategori kushtetuese dhe detyrime ligjore. Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka përcaktuar parimet themelore për ofrimin e ndihmës juridike falas për qytetarët dhe garanton të drejtën e qasjes në dokumente publike. Ndihma juridike falas sigurohet sidomos për qytetarët pa mjete të mjaftueshme financiare, me qëllim të një qasjeje të barabartë dhe efektive në drejtësi.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për ndihmë juridike falas, me të cilin është themeluar Agjencioni për Ndihmë juridike falas, si institucion qeveritar, që në partneritet me shoqërinë civile mbështet qytetarët në nevojë, e sidomos të papunët, personat me aftësi të kufizuara, gratë, fëmijët, të moshuarit etj.
Në vijim kryekuvendari Krasniqi theksoi se në të kaluarën, regjimi pushtues caktonte mbrojtës, sipas detyrës zyrtare dhe gjoja falas, madje edhe për të burgosurit politikë, por në të shumtën e rasteve, këta "mbrojtës", për t'iu hyrë në hatër pushtetarëve, merrnin më shumë rolin e prokurorit se të avokatit.
Duke i bërë një vështrim sfidave në lëmenjtë, që kjo konferencë i kishte në tryezë, kryekuvendari Krasniqi pohoi se shoqëria e Kosovës ka nevojë, të përmirësojë në vazhdimësi legjislacionin e qasjes në informata, në dokumente publike dhe për këshilla e ndihmë aktive, si dhe të shtojë mekanizmat implementues dhe të ngritë kapacitetet e tyre. Një rol të veçantë në këtë fushë ka padyshim shoqëria civile dhe mediat, të cilat hyjnë në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarit, në mënyrë të pavarur, në partneritet me institucionet tjera, apo duke ndikuar në politikat institucionale të shtetit, theksoi z.Krasniqi.