Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit

E Enjte, 12.09.2013




Kuvendi i Kosovës mbajti sot mbledhjen e parë plenare të sesionit vjeshtor. Në këtë mbledhje të cilën e kryesoi kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të saj e udhëhoqi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan një varg raportesh të agjencioneve dhe institucioneve që i përgjigjen Kuvendit. Sikurse në praktikën e deritashme edhe mbledhja e sotme filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Me këtë rast u ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh nga deputetët. Në kuadër të pikës pyetje parlamentare u përgjigj ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ndërkaq, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e raporteve.

Raportin vjetor mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2012 e paraqiti deputeti Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së foli deputetja Xhevahire Izmaku, e cila u shpreh në favor të Raportit. Ndërkaq, qëndrimin e Grupit Parlamentar të LDK-së e paraqiti deputeti, Sadri Ferati, të VV- së, Afrim Kasolli, të AAK-së, Teuta Haxhiu dhe Jeton Sfirca në emër të KKR-së. Gjatë paraqitjes së tyre, deputetët që përfaqësonin opozitën u shprehën kritik ndaj Raportit dhe u angazhuan për një administratë profesionale dhe të paanshme. Lidhur me çështjet e ngritura rreth Raportit, foli edhe ministri i Ministrisë së Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar. Për saktësinë e kontestuar të Raportit, ai tha: "Raporti është i saktë për aq sa kanë qenë të sakta raportet e institucineve që kanë raportuar në Ministri". Ai foli edhe për reformën në këtë Ministri, duke paralajmëruar edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për shërbyesit civil. Po ashtu, ministri foli edhe për angazhimet që janë duke u bërë për përfundimin e reformës për nivelizimin e pagave të shërbyesve civilë, e cila sipas tij do të fillojë të zbatohet nga një janari i vitit të ardhshëm. Pas kësaj Raporti u hodh në votim ndërsa deputetët me shumicë votash e miratuan atë. Po ashtu, me shumicë votash deputetët miratuan edhe Raportin vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2012. Edhe këtë Raport e paraqiti kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Idriz Vehapi.

Pas kësaj, deputetët shqyrtuan Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri për mbikëqyrjen e buxhetit të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës. Këtë Raport dhe rekomandimet lidhur me të, në emër të Grupit Parlamenatar të PDK-së dhe të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i paraqiti deputeti Fatmir Xhelili. Deputetja Vjollcë Krasniqi, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, duke folur për këtë Raport vlerësoi se ai nxjerr në pah parregullsi të shumta rreth menaxhimit të parasë publike nga ana e institucioneve që përfshihen në Raport. Qëndrim të ngjashëm me të shfaqi edhe përfaqësuesi i VV-së, Visar Ymeri si dhe kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi. Duke folur për këtë Raport, deputetja nga radhët e KKR-së, Myzejene Selmani, ndërkaq, vlerësoi se rekomandimet e paraqitura në Raport bien në fushëveprimtarinë e Komisionit për Mbikqyrjen e Financave Publike e jo në Komisionin për Siguri, andaj sipas saj ato nuk janë bërë nga komisioni përkatës. Pas deklarimit të shefave të grupeve parlamentare, Raporti u hodh në votim dhe u përkrah nga shumica e deputetëve të pranishëm. Në vijim të mbledhjes, po ashtu me shumicë votash u miratua edhe Raporti i Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, rekomandimet e të cilit i paraqiti, deputetja Flora Brovina.

Në vijim të kësaj mbledhjeje, u shqyrtua Raporti i Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së. Raportin e paraqiti kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i Kuvendit të Kosovës, Zenun Pajaziti. Për procesin dhe privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së, foli edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Fadil Ismajli. Ai pasi foli për krijimin e kushteve të ekonomisë së lirë të tregut dhe fuqizimin e sektorit privat, vuri në pah rëndësinë që ka ky privatizim në zhvillimin ekonomik të vendit. Pas kësaj, lidhur me këtë folën shefat e grupeve parlamentare. Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së foli shefi i këtij grupi, Ismet Beqiri. Ai tha se LDK, nuk është kundër privatizimit, por kundër mënyrës së privatizimit. Ai kërkoi që privatizimi i 75 % të aksioneve të PTK-së, të bëhet me vendim të Kuvendit. Duke shfaqur vendosmërinë e Grupit Paralamenatr të LDK-së, për mosmiratimin e këtij Raporti, Beqiri paralajmëroi edhe braktisjen e mbledhjes. Kundër miratimit të këtij Raporti, në emër të Grupit Parlamenatr të VV-së u shpreh edhe Visar Ymeri, i cili privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së, e vlerësoi antiligjor. Deputetët e këtyre dy grupeve parlamentare, LDK-së dhe VV-së, në shenjë pakënaqësie lidhur me këtë proces braktisën mbledhjen. Po ashtu, kundër këtij Raporti dhe privatizimit të këtyre aseteve të PTK-së, u deklarua edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, por ai theksoi se ky grup nuk do të lëshojë mbledhjen. Në debatin lidhur me këtë Raport, u angazhuan edhe deputetët: Muhamet Mustafa, Alma Lama, Hydajet Hyseni, Myzejene Selmani, Halit Krasniqi, Nijazi Idrizi, Shaip Muja.

Lidhur me Raportin e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së, foli edhe kryetari i Kuvendit dr. Jakup Krasniqi. Ai kritikoi ashpër Qeverinë për mos aftësi qeverisëse, ndërkaq, sjelljen në Kuvend të Raportit nga ana e Qeverisë e vlerësoi jo korrekt. Sipas kryeparlamentarit, Qeveria është duke u përpjekur që mossukseset e saja t'i mveshen edhe Kuvendit. Duke e vlerësuar këtë proces me parregullsi të theksuara, kreu i Kuvendit vlerësoi se procesi i Privatizimit të PTK-së është jolegjitim.

Pas kësaj, në mungesë të koorumit seanca ndërpreu punimet, për vazhdimin e së cilës do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

Ndërkaq, shqyrtimi i Raportit vjetor të Radiotelevizonit të Kosovës për vitin 2012, ndonëse ishte në rend dite, ai nuk u shqyrtua pasi që Grupi Parlamentar i LDK-së në fillim të mbledhjes ngriti mocionin për mosshqyrtimin e tij në këtë seancë.

Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit  Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit  Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit  Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit