Lajmet e fundit
GGD priti sot ekspertë të onkologjisë nga Kosova dhe Italia
E Mërkure, 04.09.2013
Grupi i Grave Deputete priti sot një delegacion të ekspertëve të projektit: "Euromed Cancer" nga Italia dhe me këtë rast u takuan me dr. Luigi Bisanti, nga Instituti i tumoreve në Milano të Italisë, dr. Lina Jaramillo nga Qendra për Parandalimin e Kancerit të Pidemontit në Torino të Italisë, si dhe dr. Elvis Ahmeti dhe dr. Mejreme Maloku, nga Instituti Onkologjik i Kosovës.
Gjatë këtij takimi kryetarja e GGD-së, deputetja Teuta Sahatqija duke njoftuar delegacionin lidhur me rolin e deputeteve, ajo me theks të veçantë foli për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre drejt krijimit të bazës ligjore dhe instrumenteve tjera politike, me qëllim të preventimit, diagnostifikimit dhe trajtimit adekuat të sëmundjeve. Ajo foli edhe për rëndësinë e rritjes së kapaciteteve në institucionet shëndetësore dhe siguroi se gratë deputete janë të përkushtuara të kontribuojnë në këtë drejtim.
Ndërkaq, dr Elvis Ahmeti, foli lidhur me projektin për zbulim të hershëm, skriningut dhe trajtimit të kancerit të gjirit, cervikal dhe kolorektal.
Prezantim më të gjerë këtij projektit i bëri dr Luigji Bisanti, i cili tha se bazuar në nismën e BE-së për zvogëlimin e dispariteteve ndërmjet vendeve të BE-së dhe vendeve të Evropës Juglindore dhe disa vendeve të Mediteranit, Ministria e Shëndetësisë së Italisë ka marrë përgjegjësinë për mbështetje të këtyre vendeve përmes projektit EUROMED, për të filluar ngritjen e kapaciteteve në zhvillimin e programeve Nacionale të zbulimit të hershëm, skriningut dhe trajtimit të kancerit të gjirit, cervikal dhe kolorektal.
Projekti ka për qëllim trajnimin e vendim-marrësve të shëndetit publik në vendet e Mediteranit që nuk janë anëtare të BE-së në fushën e zbulimit të hershëm të kancerit, bazuar në prioritetet, burimet dhe karakteristikat socio-ekonomike. Në këtë projekt është përfshirë edhe Kosova.
Më tej foli edhe deputetja dr Flora Brovina, e cila theksoi se jo vetëm GGD-ja por edhe në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe kanë amandamentuar ligjin për shëndetësi dhe kanë përfshirë skriningun e rregullt të gjirit. Ndërsa, shtoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të hartojnë planin nacional për shëndetësi.
Në këtë diskutim morën pjesë edhe deputetet: Nazane Breca, Alma Lama dhe Kimete Bytyqi.
Krejtësisht në fund të takimit u vendos që në bashkëpunim me Institutin Onkologjik të Kosovës të punohet në politikat shëndetësore.