Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në inaugurimin e memorialit të martirëve në Çabrat të Gjakovës
E Enjte, 29.08.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka marrë pjesë sot në ceremoninë me rastin e inaugurimit të memorialit të martirëve në Çabrat të Gjakovës.
Në fjalën e tij para familjarëve të dëshmorëve, martirëve e të të pagjeturve, përfaqësuesve institucionalë nga niveli qendror dhe lokal, kryetari Krasniqi tha se janë tri arsye të mëdha që Kodra e Çabratit na bashkon sot: shënimi i ditës ndërkombëtare të të zhdukurve, përkujtimi e nderimi i dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, si dhe inaugurimi i këtij memoriali madhështor, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të përjetshme të të rënëve për liri.
"Shfrytëzoj rastin që nga ky vend, në vigjilje të shënimit të ditës së të zhdukurve, martirëve, t'i bëjmë thirrje ndërgjegjes së kombit serb që të bëjë presion në udhëheqjen e tij, i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë gjithë ndikimin e saj ndaj krerëve të Beogradit, për t'i kthyer të gjithë të vrarët dhe të pagjeturit e Kosovës", theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Kjo kodër, shtoi më tej kreu i Kuvendit, mban në gjirin e saj lavdinë e Gjakovës dhe të mbarë vendit tonë, mban dhimbjet tona shpirtërore për më të dashurit tanë, mban kujtimet e përjetimet që nuk harrohen dot.
Kryetari Krasniqi tha se vendi ynë është i vogël, por ka kaq shumë dëshmorë dhe martirë, sepse historia e tij, e vjetër dhe e re, është e mbushur me luftëra të pareshtura për liri dhe dinjitet njerëzor.
"Satisfaksioni më i madh për ju dhe ne sot, për atë dhimbje të madhe, është Kosova e lirë dhe sovrane. Për herë të parë në historinë tonë, dëshmorët dhe martirët u shpaguan me lirinë e Kosovës. Pa lirinë e fituar nuk do të ishte as ky memorial përkujtimor që sot po përurohet në Kodrën e Çabratit. Ne dhe brezat në vijim, do të kemi nevojë për dëshmorët e martirët, jo ata për ne, pasi ata e kanë fituar përjetësinë e tyre. Dëshmorët dhe martirët janë dhe do të mbesin shkolla të përhershme të edukimit të brezave me atdhedashuri që kurrë nuk i ka munguar dhe nuk do t'i mungojë këtij vendi", theksoi në fjalën e tij kryeparlamentari Krasniqi.