Lajmet e fundit
Reagim
E Premte, 02.08.2013
Pas gazetës "Kosova sot" , sot edhe gazeta "Bota sot" vazhdon të interpretojë gabimisht e të dezinformojë lexuesit lidhur me mëditjet e deputetëve gjatë udhëtimeve në botën e jashtme, me artikullin me titull" "Dhjetë deputetët që bënë kërdi me meditje", të botuar në portalin e sotëm të gazetës "Bota sot", që vjen si pasojë e mosnjohjes së çështjes apo etjes senzacionale. Në fakt, në vend se artikullshkruesi të shkruajë, duke u mbështetur në fakte për këtë çështje, ai jep të dhëna që aspak nuk kanë të bëjnë me të vërteten. Artikullshkruesi pa u bazuar në asnjë fakt akuzon deputetët e Kuvendit të Kosovës se gjoja kanë abuzuar me mëditje gjatë udhëtimeve. Në artikull ndër të tjera theksohet:"Listës së top-deputetëve përfitues i prin deputetja e PDK-së, Hasime Krasniqi, e cila ka zotuar më 26 qershor 4810,50 euro për udhëtim në Gjermani dhe janë paguar 535,50 euro". Në këtë mënyrë, në portal vazhdohet dezinformimi edhe për deputetët tjerë. Të gjitha këto të dhëna të paraqitura nga artikullshkruesi i "Botës sot" janë dezinformata, sepse pikësëpari deputetët nuk zotojnë mjete, atë e bën sektori përkatës i administratës së Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket shumave që ua atribuon ky portal deputetëve, ato nuk janë shuma që i kanë marrë ata, por ato janë shuma për delegacionet, përkatësisht shuma prej 4810,50 euro i ka takuar tërë delegacionit të Kuvendit të Kosovës të përbërë nga 9 veta, për vizitën që kanë bërë në Gjermani, në periudhën 9-15 qershor,e jo si thuhet vetëm Hasime Krasniqit. Pra, deputetja Krasniqi , as nuk i ka zotuar , as nuk e ka marrë shumën e përmendur , por sistemi i evidentimit është i tillë(shuma e përgjithshme e mëditjeve shënohet krahas emrit të deputetit të parë në listën e delegacionit). Të theksojmë edhe njëherë se e njëjta gjë vlen edhe për deputetët e tjerë të zënë në gojë, përkatësisht delegacionet, me të cilat kanë udhëtuar ata në botën e jashtme, që përmenden në portal.
Reagimi i Kuvendit të Kosovës rreth këtij keqinterpretimi iu ka dërguar gazetës "Kosova sot", e cila e ka botuar atë të cunguar, ndërsa reagimi është botuar në ueb faqen e Kuvendit, por artikullshkruesi nuk e ka parë të arsyeshme që, qoftë ta lexojë informatën në ueb faqen e Kuvendit, qoftë të vijë dhe të informohet për këtë çështje nga zyrtarët përkatës të Kuvendit, e jo të marrë "informatën" nga gazeta "Kosova sot", të cilën tërësisht e ka kopjuar.