Lajmet e fundit

Interpretim i gabueshëm i shumave të shpenzuara për udhëtimet zyrtare të deputetëve jashtë vendit

E Enjte, 01.08.2013




Në artikullin "10 deputetët që bën "kërdi" me mëditje", të nënshkruar nga gazetari Sylë Ahmeti, të botuar në gazetën "Kosova Sot", më 1.8.2013, faqe 3, duke marrë shkas nga shifra të mjeteve të dedikuara për aktiviteteve ndërkombëtare të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke i ngatërruar ato dhe duke e intonuar shkrimin në stilin "deputetët e hëngrën Kosovën!", mëtohet të prezantohen në dritë të keqe shpenzimet për realizimin e vizitave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në parlamente të vendeve të ndryshme të botës, që është praktikë e parlamenteve të të gjitha vendeve, madje edhe e atyre më të izoluara.

 

 

Gazetari, nga mosdija, nga mungesa e dëshirës për t'i sqaruar shifrat e cituara nga zyrtarët profesional të Administratës së Kuvendit, apo nga zelli për t'i damkosur deputetët, një shifër të caktuar për vizitën në Gjemani të një delegacioni 9-anëtarësh ( nga 9- 15 qershor) prej 4810.50 euro, i referohet kësisoj: "Listës së deputetëve përfitues i prin deputetja e PDK-së, Hasime Krasniqi, e cila ka zotuar më 26 qershor për udhëtim në Gjermani 4810,50 euro për udhëtim në Gjermani dhe janë paguar 535.50 euro". Kështu interpretohen gabimisht edhe shumat e shpenzuara për grupe të tjera deputetësh që kanë udhëtuar zyrtarisht jashtë vendit.

Për sqarim dhe saktësim: shuma prej 4810.50 euro ka qenë e dedikuar jo vetëm për deputeten Hasime Krasniqi, por për gjithë delegacionin. Deputetja në fjalë ka marrë kompensim për mëditje shumën prej 535,50 euro, sa kanë marrë edhe deputetët e tjerë, anëtarë të delegacionit. Deputetja Krasniqi nuk e ka zotuar shumën e përmendur, por sistemi i evidentimit është i tillë ( shuma e përgjithshme e mëditjeve shënohet krahas emrit të deputetit të parë në listën e delegacionit). Të theksojmë edhe këtë: deputetët nuk zotojnë mjete. Mjetet për udhëtimet zyrtare të deputetëve i bën shërbimi përkatës i Kuvendit.