Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, dom Dodë Gjergji

E Mërkure, 31.07.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, dom Dodë Gjergji. Me këtë rast imzot Dodë Gjergji e njoftoi kryetarin e Kuvendit për vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të Katedrales Katolike në Prishtinë, sipas të cilit për këtë lokacion prej 1,30 hektarë (ngastra kadastrale 7355) Kisha Katolike, si kompensim për shfrytëzimin e tij, ka dhënë 1.250.000,00 euro. Nga shuma e lartshënuar 850.000,00 euro janë paguar nga Kisha Katolike, kurse me mjetet tjera ka participuar Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë. Nga kjo del se Kisha Katolike e ka kompensuar parcelën në fjalë dhe është pronare e saj. Imzot Dodë Gjergji ngre shqetësimin se Komuna e Prishtinës nuk po e respekton vendimin e saj të datës 4.3.2003.

Ndërkaq, sa i përket punimeve për rregullimin e ambientit rreth katedrales, ato po bëhen në kuadër të përgatitjeve për festën e 5 shtatorit , kur do të festohet 10 - vjetori i lumturimit të Nënë Terezës, u shpreh imzot Gjergji.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, pasi dëgjoi shqetësimet e ngritura theksoi se nëse nuk mund të zgjerohet hapësira siç është në kontratë, ajo nuk bën të ngushtohet.

Kryekuvendari Krasniqi priti  ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, dom Dodë Gjergji