Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit
E Mërkure, 31.07.2013
Në vazhdimin e sotëm të seancës plenare të 25 korrikut të Kuvendit, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, në fillim u votua për dy raporte, për të cilat në mbledhjen e kaluar kishte përfunduar debati , por në mungesë të kuorumit nuk është bërë votimi. Kuvendi sot me shumicë votash miratoi Raportin vjetor të punës të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2012 dhe Raportin e Qeverisë së Kosovës për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të Kosovës për vitin 2012.
Në rendin e ditës pastaj ishte zgjedhja e një anëtari të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, të propozuar nga Qeveria e Kosovës. Në emër të Komisionit për Legjislacion, kryetari i këtij Komisioni Arben Gashi theksoi se propozimi është shqyrtuar nga ana e këtij Komisioni dhe ka konstatuar se janë plotësuar kushtet formale juridike për zgjedhjen e këtij anëtari. Me shumicë votash Kuvendi zgjodhi, z. Fekë Sadikaj, anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, me mandat dyvjeçar.
Në vazhdim Kuvendi aprovoi Projektligjin për planifikim hapësinor.