Lajmet e fundit

Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit

E Hënë, 29.07.2013




Në vazhdimin e sotëm të seancës plenare të 25 korrikut të Kuvendit, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti, u vijua shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 04/L-206 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L- 047 për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, për të cilin në mbledhjen e kaluar raportet i kishin paraqitur zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës , z. Bujar Bukoshi dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe kthim, Jasmina Zhivkoviq, të cilët përkrahën miratimin e Projektligjit në parim. Gjatë debatit, kryetarët- përfaqësuesit grupeve parlamentare të PDK-ës, LDK-ës,AAK-ës, KKR-ës, 6+, SLS-ës, dhe E ardhmja e Përbashkët, përkatësisht: Elmi Reçica, Ismet Beqiri, Ardian Gjini, Albert Kinolli, Danush Ademi, Sasha Milosavleviq, dhe Milivoje Stojanoviq e përkrahën projektligjin. Ndërkaq, duke folur në emër të GP Lëvizja Vetëvendosje Glauk Konjufca në diskutimin e tij theksoi se ky Projektligj ka ardhur si pasojë e Marrëveshjes Kosovë-Serbi. Po krijohet praktika e ndryshimit të ligjeve sipas bisedimeve Daçiq-Thaçi. Interferenca e Serbisë po ligjësohet, ndërhyrja e saj po bëhet obligim ligjor për Kosovën, që reflektohet në sovranitet, u shpreh Konjufca.
Duke marrë fjalën në debat , deputeti Hydajet Hyseni theksoi se nuk ka asgjë të keqe në punën që bëhet për avancimin e të drejtave të komuniteteve, por kjo rrugë sikur vijon përtej asaj që është interes i komuniteteve dhe demokratizimit. Duke dhënë disa vërejtje në tekstin e Projektligjit, ai tha se parashihet që në Këshillin Konsultativ të jenë 5 anëtarë të komunitetit serb, shtrohet pyetja pse në këtë Këshill të mos ketë edhe përfaqësues nga komuniteti malazias dhe kroat, pra pse nuk vlen barazia në mes komuniteteve. Pastaj , pse kjo praktikë nuk aplikohet edhe në shtete tjera ku jetojnë shqiptarët. Ai kishte vërejtje edhe në përdorimin e terminologjisë bashkësi e komunave serbe, në vend se të përdoret Asociacioni. Edhe Muhamet Mustafa kishte mendimin se në tekstin e Projektligjit përdoren terma që nuk përkojnë me Kushtetutën e Kosovës. Emilija Rexhepi u shpreh se aprovimi i këtij Projektligji do të ndikojë pozitivisht në pozitën e komuniteteve , sidomos në ndaljen e migrimit të tyre. Ndërkaq, Albin Kurti tha se gjithë këto privilegje po bëhen si pasojë e bisedimeve Kosovë-Serbi. Integrimi, tha ai , nuk bëhet me privilegje, por me zhvillim shoqëror, ekonomik e drejtësi shoqërore. Deputeti Arsim Bajrami u shpreh se këto ndryshime burojnë nga marrëveshja që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës dhe bisedimet, mirëpo ndryshimet e propozuara nuk implikohen në ndryshime kushtetuese, më këtë vetëm mundësohet përfaqësimi në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve.
Në debat mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit,z. Krasniqi, i cili duke folur rreth nenit të debatueshëm të projektligjit, theksoi se nuk duhet të mbyllen sytë para faktit se neni nuk prek Kushtetutën, ai prek Kushtetutën, sepse nëse ligjet ndryshohen atëherë edhe Kushtetuta duhet të ndryshohet.
Pas përfundimit të debatit filloi procesi i votimit, mirëpo për Projektligjin votuan pro 56 deputetë , ndaj Projektligji nuk fitoi shumicën e nevojshme.
Në rendin e ditës pastaj ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për tregun e naftës dhe të produktet e naftës në Kosovë, por ai në mbështetje të marrëveshjes së Kryesisë së Kuvendit bashkë me shefat e grupeve parlamentare u propozua t' i kthehet për ripunim Qeverisë së Kosovës, që u përkrah edhe nga shumica e deputetëve.
Në vijim Kuvendi kishte në rendin e ditës shqyrtimin e dytë të tri projektligjeve, përkatësisht Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligjin për tregtinë e mallrave strategjikë dhe Projektligjin për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës, të cilat u aprovuan nga Kuvendi.
Kuvendi pastaj vazhdoi shqyrtimin e Raportit vjetor të punës të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2012, të cilin para deputetëve e paraqiti kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj. Ajo në fillim theksoi se Raporti reflekton aktivitetet e Bordit të BQK-ës, Bordit Ekzekutiv dhe stafit të BQK-ës lidhur me zhvillimet me të rëndësishme në ekonominë e Kosovës , sidomos zhvillimet në sektorin financiar për vitin 2012. BQK-ja gjatë vitit 2012, theksoi ajo, ishte faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit , duke siguruar dhe ruajtur stabilitetin e sektorit financiar. Sipas Raportit ekonomia e Kosovës vazhdoi trendin pozitiv të rritjes së prodhimit, ndërsa vërehen edhe ecuri pozitive në sektorin e jashtëm, veçanërisht rritjen vjetore të dërgesave të emigrantëve dhe të eksporteve. Duke i bërë një vështrim sektorit të investimeve ajo tha se ato vijnë më shumë nga Turqia, kryesisht në sektorin e transportit dhe të telekomunikacionit, ndërsa ka pasur investime edhe nga Zvicra kryesisht në patundshmëri. Duke folur për problemin e papunësisë ajo tha se ai konsiderohet si problemi më i madh, ndërsa norma aktuale e rritjes ekonomike nuk mjafton rritje të vazhdueshme të punësimit. Ndër të arriturat e vitit 2012, ajo përmendi avancimin e infrastrukturës financiare , sidomos funksionalizimin e tregut të letrave.
Gjatë debatit përfaqësuesit e grupeve parlamentare të PDK-ës dhe të LDK-ës e përkrahën Raportin. Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje tha se raporti pasqyron mjaft mirë rrjedhat ekonomike, por nuk flitet sa duhet për ndryshimin e politikave në këtë sektor për të sanuar gjendjen. Xhevdet Neziraj nga AAK përmendi nivelin e ulët të papunësisë, ndaj theksoi se Qeveria duhet të bëjë një strategji për rritjen e punësimit. Në diskutimin e saj Myzejene Selmani nga KKR-ja tha se raporti paraqet gjendjen faktike financiare dhe të rritjes ekonomike dhe se raporti është punuar mirë, ndaj edhe ky grup parlamentar i jep përkrahje. Meqë, në përmbyllje të debatit u pa se mungon kuorumi i nevojshëm për miratim, votimi i kësaj pike u shty për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit.
Shqyrtimi i raportit të Qeverisë së Kosovës për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të Kosovës për vitin 2012, ishte pikë vijuese e mbledhjes së sotme. Raportin për këtë pikë të rëndit të ditës, në mungesë të ministrit përkatës, e paraqiti ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, i cili duke përmendur të arriturat gjatë vitit 2012 renditi: plotësimin e infrastrukturës ligjore me legjislacion sekondar, trajnimi i auditorëve të brendshëm në fushat që ndihmojnë profesionin e auditimit të brendshëm; bashkëpunimin me palët e ndërlidhura; rritja e numrit të njësive të auditimit të brendshëm 4,69 për qind; rritja e numrit të njësive efektive të auditimit të brendshëm për 15, 62 për qind, rritja e numrit të komiteteve të auditimit të brendshëm për 14, 9 për qind; trajnimi të gjithë anëtarëve të komitetit të auditimit, rritja e numrit të auditorëve të brendshëm 8, 13 për qind etj. Ndërkaq, ai në vazhdim foli edhe për çështjen e fuqizimit të sistemit të auditimit të brendshëm,si: themelimi i njësive të pavarura të auditimit të brendshëm në ato organizata buxhetore ku janë krijuar kushtet sipas kërkesave ligjore, Kuvendi i Kosovës të plotësojë kapacitetet e njësisë së auditimit në të gjitha agjencitë që i raportojnë atij; të planifikohet buxheti i nevojshëm për njësitë e auditimit, të sigurohet cilësia e punës të njësive të auditimit; të vazhdojë puna për certifikim dhe zhvillim të programit për arsimim të vazhdueshëm profesional të auditorëve të brendshëm etj.
Kryetari i komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Ali Sadriu theksoi se Raporti ka një performancë të mirë, por ka hapësirë edhe për korrektime. Duke dhënë disa vërejtje ai përmendi faktin se 17 organizata në nivelin qendror nuk kanë auditorë. Në emër të GP të PDK-ës Ramiz Lladrovci tha se Raporti dëshmon se është duke u ecur në rrugë të mirë. Ndër arritjet e shënuara ai përmendi trajnimet dhe certifikimet e auditorëve. Afrim Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje tha se raporti është dashur të përqendrohet më shumë në identifikimin e problemeve në auditimin e brendshëm, kurse ndër vërejtjet që kishte ishin ato që kanë të bëjnë me formimin njësive për auditim në agjenci të ndryshme, sidomos në lëmin e shëndetësisë. Në emër të AAK-ës foli Xhevdet Neziraj, i cili tha se e gëzon fakti që vërehen përmirësime në Raportin në shqyrtim. Edhe Myzejene Selmani përkrahu Raportin, përkatësisht të arriturat në procesin e auditimit. Në mungesë të kuorumit edhe për këtë Projektligj mbetet të votohet në vazhdimin e mbledhjes, që do të bëhet të mërkurën, më 31 korrik.

Vazhdimi  i seancës plenare të Kuvendit Vazhdimi  i seancës plenare të Kuvendit