Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 29.07.2013
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të sotme, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që të mërkurën, më 31 korrik, Kuvendi të mbajë seancën e fundit të sesionit pranveror, para se deputetët të shkojnë në pushim vjetor. Sesioni vjeshtor, ndërkaq, fillon të hënën e dytë të muajit shtator.
Në këtë seancë parashihet të ratifikohen tri marrëveshje ndërkombëtare të lidhura nga Qeveria e Kosovës: Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime që rregullon aktivitetet e Bankës Evropiane për Investime në Kosovë, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim - Financimi i dytë shtesë për projektin e pastrimit të sektorit të energjisë dhe të bonifikimit të tokave - CLRP, si dhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare „ISTISNA'A" dhe Marrëveshja për Agjencinë „ISTISNA'A" për financimin e vazhdimit të ndërtimit të rrugës Milloshevë - Mitrovicë, Rruga M2, e lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Islamike për Zhvillim.
Në vazhdim do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për Fshatin Zym i Hasit, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për të huajt, Projektligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, Projektligji për bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të përfshira në menaxhimin e integruar të kufirit, Projektligji për Shtetësinë e Kosovës, Projektligji për Azil, Projektligji për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtën e viktimave të trafikimit, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058, si dhe Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë. Edhe në këtë seancë, ndërkaq, deputetë do të kenë rastin të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Kryesia, në mbledhjen e sotme e ka shqyrtuar Raportin e shpenzimeve ë Kuvendit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, duke e tumir vlerësimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa se raporti në fjalë ofron një pasqyrë të përgjithshme për nivelin e shpenzimeve, sipas Programit të Kuvendit dhe i njëjti i përmbushë obligimet ligjore për raportim që dalin nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Komisioni rekomandon Kryesisë që të miratohet Raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2012.
Duke e shqyrtuar kërkesën e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës - AKK, Kryesia ka konstatuar se në këtë agjenci, të paplotësuar me anëtarë dhe pa kryetar (vetëm me ushtrues detyre), kanë ndodhur parregullsi të shumta, andaj ka kërkuar nga Komisioni që të sqarojë dhe t'i precizojë rekomandimet për mbarëvajtjen e AKK-së.
Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar për vizitën e realizuar ne Gjermani nga Komisioni për Buxhet dhe Financa ( prej 9-15 qershor 2013).