Lajmet e fundit
Ministri Hoxhaj raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme
E Premte, 26.07.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka raportuar lidhur me politikën e jashtme të Kosovës dhe angazhimet e ministrisë, të cilën e udhëheq.
Ministri Hoxhaj, fillimisht, ka prezantuar prioritetet Ministrisë së Punëve të jashtme, si: fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, agjendën integruese evropiane , si dhe agjendën euroatlantike të Kosovës.
Hoxhaj ka theksuar se gjashtë muajve të shkuar ka vizituar shumë vende dhe ka pasur kontakte me përfaqësues të rreth 30 vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovë, duke veçuar me këtë rast vizitën në Vatikan dhe takimin me ministrin e jashtëm të këtij vendi, si dhe takimet me përfaqësuesit e Greqisë, të Sllovakisë e të Rumanisë, duke i quajtur qëndrimet e shtetarëve të këtyre vendeve më liberal dhe miqësor ndaj Kosovës se sa opinionet publike të atyre vendeve për realitetin e vendit tonë.
Ai pastaj ka pohuar se numri i njohjeve për Kosovën ka arritur në 101, e duke theksuar edhe një herë se Mali nuk na ka njohur, sikurse nuk na ka njohur as Nigeria dhe Uganda (siç kishte pohuar më parë zv.kryeministri Pacolli). Hoxhaj e ka quajtur sukses anëtarësimin e Kosovës në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, si dhe anëtarësimin në 16 organizata rajonale. Ai, ndërkaq, ka pohuar edhe synimin për anëtarësim të vendit tonë edhe në Këshillin e Evropës.
Tutje Hoxhaj është zotuar se do ta reformojë MPJ-në dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës dhe se do të punojë edhe për ndryshimin e ligjeve për funksionimin e mirë të këtyre resorëve.
Duke e përshëndetur ardhjen e Hoxhajt që të raportojë në Kuvend, kryetari i Komisionit, Albin Kurti, e ka quajtur të vonuar këtë takim, duke pohuar se ministri gjithsesi është dashur të raportonte në Komision para se të ratifikohej në Kuvend marrëveshja me Serbinë. Pastaj Kurti i ka shtruar pyetje të shumta ministrit Hoxhaj për numrin e njohjeve, për nivelin e përfaqësimit të Republikës së Kosovës në Beograd dhe për dorëheqjen a diplomatit Peci, vetëm një ditë pas emërtimit të tij si oficer ndërlidhës i Kosovës në Beograd, pastaj për numrin e shtetasve të Kosovës që largohen nga Kosova me shpresë të sigurimit të azilit ekonomik nëpër vendet e BE-së ; për deklaratat e tij se emigrantët tanë nëpër kampet strehimore dhe nëpër burgjet e Hungarisë po trajtohen mirë, si dhe për prishjen nga Austria të Marrëveshjes për sigurimet shoqërore.
Pyetje të shumta për ministrin Hoxhaj kanë shtruar edhe nënkryetarët e Komisionit: Hydajet Hyseni dhe Enis Kërvan, si deputetet Donika Kadaj -Bujupi dhe Emilia Rexhepi.
Hoxhaj e ka quajtur keqkuptim, keqinterpretim dhe incident rastin e shefit të Misionit të Posaçëm të Kosovës në Beograd, z. Lulzim Peci. Ai ka pohuar ish-diplomati Peci nuk është kritikuar ashpër nga kryeministri Thaçi, siç ka trumbetuar ai. Ministri e ka kritikuar ish-vartësin e tij për deklarata të pamatura e të dëmshme për Kosovën dhe për Shërbimin Diplomatik të vendit.
Ministri, ndërkaq, ka theksuar se është në kontakt me autoritetet hungareze për emigrantët kosovar në këtë vend ( rreth 480), të cilët pritet të kthehen në Kosovë brenda pak ditësh. Ndërkaq ka pohuar se ka angazhime edhe për rinegicimin me shtetin e Austrisë për Marrëveshjen për sigurimet shoqërore.
Duke theksuar se mandati i një ministri është i shkurtër dhe kalon shpejt, ai i ka garantuar anëtarët e Komisionit se është i angazhuar seriozisht që të jetë i suksesshëm dhe të bëjë gjëra të mira për vendin.