Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkeviçius

E Premte, 26.07.2013




Përforcimi i marrëdhënieve Kosovë-Lituani, ishte temë diskutimi e takimit të sotëm të Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkeviçius dhe delegacionin nga Lituania.
Kryetari i komisionit, Lutfi Haziri, pasi përshëndeti ministrin e Punëve të Jashtme dhe delegacionin nga Lituania, foli për zhvillimet e fundit në Kosovë në procesin e integrimeve evropiane, duke theksuar se ky proces ka filluar, por pritjet e popullit të Kosovës kanë qenë të mëdha dhe të gjata për këtë çështje. Ndërkaq, shtoi se është treguar një durim i madh i të gjithë qytetarëve për shkak të statusit politik dhe çështjeve që lidhen me Kosovën.
Haziri tha më tej se Kosovës i duhet një program për liberalizimin e vizave, duke shfaqur kështu shqetësimin e tij rreth rritjes së kërkesave të azilkërkuesve nga Kosova. "Kërkesat për azil po rriten dhe njerëzit po humbin shpresën për përmirësim të jetës, se do të ketë lëvizje të lirë", tha Haziri.

Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkeviçius, fillimisht tha se roli i Parlamentit Evropian është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se ky po rritet, duke shtuar se kontributi i parlamenteve është thelbësore sa i përket integrimit në BE-së. "Jam mirënjohës që po zhvilloni konsensus sa i përket rrugës për në BE dhe jeni në rrugën e duhur", tha ministri Linkeviçius, duke theksuar faktin se në Kosovë ka vërejtur ndryshime të dukshme dhe se gjithçka po zhvillohet mbarë.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi ai tha se atmosfera e dialogut po përmirësohet dhe se të gjithë duan që kjo të shënojë sukses, duke shtuar se Kosova është në rrugën e duhur drejt BE-së.
Duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave, ministri Linkeviçius tha se Kosova duhet t'i bëjë detyrat e shtëpisë dhe të tregojë angazhim, ndërsa foli edhe për bashkëpunimin mes këtyre dy vendeve. "Jemi të gatshëm për bashkëpunim. Do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe do ta thellojmë atë, në fushat ku Kosova ka interesim", tha ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkeviçius, duke përfunduar se të gjitha këto do t'i përçojë në parlamentin e tij dhe Komitetin e udhëheqësve, mirëpo shtoi se bashkëpuni mes këtyre dy shteteve bëhet nëpërmjet projekteve të binjakëzimit. "Lajm i mirë mbetet qëllimi vizionar, që ju të jeni në familjen evropiane", tha ai.
Nënkryetari i Kuvendit dhe i Komisionit për Integrime Evropiane, Xhavit Haliti, duke theksuar faktin se Kosova është vendi thuajse më i varfër në Evropë, shfaqi domosdoshmërinë e zhvillimit ekonomik në vend, duke shtuar se kjo kërkon bashkëpunim reciprok në mes të shteteve përkatëse, ndërsa shtoi se Kosova tashmë ka legjislacion të pranueshëm për investime nga shtetet evropiane, ndaj Parlamenti Evropian dhe qeveritë evropiane do të ishte e udhës t'i japin Kosovës një shans të zhvillimit.
Duke përmendur tri fusha në të cilat Kosova ka nevojë për bashkëpunim, si arsimi, shëndetësia dhe investimet, ai tha se Kosova duhet të përgatitet për tregun e punës në Evropë. "Parlamenti i Kosovës është i interesuar që të bashkëpunojë me parlamentet simotra në gjithë Evropën, e edhe me parlamentin tuaj", tha nënkryetari Haliti duke shtuar se bashkëpunimi mes dy shteteve duhet të rritet, ndërsa duke marrë parasysh pozicionin e Lituanisë në BE, ai kërkoi mbështetjen e këtij shteti në fusha të ndryshme.
Edhe nënkryetari i dytë i komisionit, Sasha Milosavljeviq, tha se të drejtat e pakicave janë të respektuara në Kosovë dhe se vazhdimisht janë duke u përmirësuar. Ai shtoi se Kosova gjendet para detyrave të mëdha në mënyrë që të integrohet në BE dhe se vetëm me përpjekje të mëdha në zgjedhjen e problemeve mund të arrihen rezultate të mira drejt integrimit në familjen evropiane.

Komisioni për Integrime Evropiane priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkeviçius