Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit
E Premte, 26.07.2013
Në vazhdim të seancës plenare të 25 korrikut të Kuvendit, u fillua me procesin e votimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, për të cilin kishte përfunduar debati. Procesi i votimit të Projektligjit u përsërit disa herë në mënyrë elektronike, por nuk sigurohej numri i nevojshëm për miratim në parim. Ndërkohë, fjalën e mori Ismet Beqiri, kryetar i GP të LDK-ës, i cili tha se po shihet se po tentohet "që të detyrohemi të votojmë". Ai pastaj zuri në gojë Projektligjin për tregun e naftës dhe produktet e naftës në Kosovë, duke kërkuar që ai të hiqet nga rendi i ditës, sepse është kundër interesave të vendit. Nëse nuk veprohet kështu, ai tha se GP i LDK-ës nuk do të marrë pjesë në seancë. Kryetari i Kuvendit, Krasniqi, tha se kur të vijë në radhë kjo pikë e rendit të ditës , atëherë mund të diskutohet për të. Ndërkaq, konform Rregullores ai propozoi që të votohet sipas listës së deputetëve, se kush si do të përcaktojë votën. Pas kësaj u bë numërimi i votave dhe u konstatua se me shumicë votash është miratuar në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.
Pastaj filloi shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 04/L-206 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L- 047 për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës. Para deputetëve këtë Projektligj e prezantoi zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës , z. Bujar Bukoshi, i cili tha se ndryshimi i Projektligjit ka të bëjë me nenin, sipas të cilit në përbërjen e Këshillit Konsultativ të jetë edhe një anëtar nga radhët e komuniteteve. Ky ndryshim, tha ai, bëhet sipas standardeve evropiane në fushën e legjislacionit. Ndërkaq, në emër të Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, raportin e paraqiti , kryetarja e këtij Komisioni Jasmina Zhivkoviq, e cila tha se ky komision propozon që ky Projektligj të miratohet në parim.
Për fjalë u paraqit pastaj kryetari i GP të PDK-ës, Adem Grabovci, duke u shprehur se nuk mund të shkohet me këtë formë bojkoti të LDK-ës, ndërsa propozoi që Qeveria të tërheqë Projektligjin për tregun e naftës dhe produktet e naftës në Kosovë.Duke përfunduar, ai kërkoi një pushim për konsultime me grupet parlamentare. Mirëpo, meqë, edhe pas kalimit të kohës së pauzës nuk u kthye shumica e nevojshme e deputetëve , në mungesë të kuorumit, mbledhja u ndërpre dhe do të vazhdojë të hënën, më 29 korrik të këtij viti, duke filluar nga ora 10.