Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 25.07.2013
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Me këtë rast deputetët ngritën çështje të ndryshme nga aktualiteti shoqëror, ekonomik e politik. Duke u ndërlidhur me një diskutim rreth të dhënave më të reja nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ministri i Zhvillimit Ekonomik , Besim Beqaj, tha se Kosova radhitet ndër shtetet e rajonit me ngritje ekonomike, ka stabilitet ekonomik, si dhe vijon realizimin e projekteve të planifikuara. Në vijim disa deputetë shtruan disa pyetje, por në mungesë të ministrave nuk morën përgjigje. U dhanë propozime edhe për plotësimin ose ndryshimin e rendit të ditës së kësaj seance. Kuvendi përkrahu kërkesën e Nait Hasanit që në rendin e ditës së seancës së sotme të përfshihet edhe Projektligji për planifikim hapësinor, ndërsa u përkrah propozimi i Albulenë Haxhiut që të hiqet nga rendi i ditës pika e 13-të e rendit të ditës që kishte të bëjë me shqyrtimin e Raportit të punës së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.
Kuvendi pastaj filloi shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013. Raportin për këtë Projektligj e paraqiti Safete Hadërgjonaj, e cila tha se Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka shqyrtuar këtë Projektligj dhe ka dhënë rekomandime për miratim të Projektligjit.
Deputetja Albanë Fetoshi tha se me gjithë kërkesat, Projektligji nuk ka ndryshuar shumë për shkak të mungesë së mjeteve buxhetore. Teuta Haxhiu u shpreh se me këtë Projektligj është bërë një injorim total i Komunës së Gjakovës. Ndërkaq, Emilia Rexhepi shprehu falënderimin e qytetarëve të Restelicës për dhënin e mjeteve për ndërtimin e tunelit në këtë anë. Deputeti Armend Zemaj tha se më këtë Projektligj është dashur të parashihet ndërtimi i rrugës Deçan - Plavë.
Në fjalën e saj, kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka specifikuar kërkesat e shumta të ndërmarrjeve të ndryshme për përfshirje në rishikim të Buxhetit, një pesë e madhe e të cilave, ka thënë ajo, janë refuzuar për parregullsi dhe mungesë dokumentacioni. Konstatimit ë saj i janë kundërvënë deputetët e AAK-së: Teuta Haxhiu, Daut Haradinaj dhe Ardian Gjini, duke përmendur përjashtimin nga financimi i disa ndërmarrjeve me interes të gjerë shoqëror të Komunës së Gjakovës.
Në vazhdim deputetët kanë votuar një për një amendamentet e Komisionit funksional dhe të komisioneve të tjera, si dhe të deputetëve të veçantë, si Muahamet Mustafa, Albulenë Haxhiu dhe Hydejet Hyseni, Bekim Haxhiu, Blerta Deliu- Kodra, Alma Lama, Nait Hasani, Salie Mustafa dhe Halit Krasniqi, propozimet e të cilëve kryesisht janë refuzuar.
Në vazhdim të seancës deputetët kanë shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, prezantimin e të cilit e ka bërë zv.kryeministri dhe ministri i pushtetit lokal, Slobodan Petroviq.
Në emër të komisionit funksional për Arsim , Shkencë, Teknologji, Administratë Publike dhe Media, projektligjit i ka dhënë mbështetje, IdriZ Vehapi, kryetari i këtij komisioni.
Projektligjin e kanë mbështetur, në emër të PDK-së, Xhevahire Izmaku dhe në emër të LDK-së, Sadri Ferati. E ka kundërshtuar, ndërkaq, Afrim Kasolli në emër të Vetëvendosjes, Afrim Kasolli, duke e ndërlidh projektligjin me bisedimet me Serbinë dhe të ndikuar nga Beogradi. Grupi Parlamentar i AAK-së është deklaruar se do të abstenojë, kurse e kanë mbështetur grupet parlamentare: KKR, SLS dhe ZB.
Në diskutimet e shumtat për projektligjin në fjalë ka dominuar çështja e Asociacionit të komunave serbe dhe financimi i pjesës veriore të Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili e ka drejtuar një pjesë të seancës, është dashur disa herë ta nxjerrë në votim këtë projektligj. Pas dështimit të tretë të votimit të këtij projektligji (kërkoheshin 61 vota të deputetëve), ai e ka ndërprerë seancën, duke i njoftuar deputetët se votimi i këtij projektligji do të bëhet edhe në vazhdimin e seancës, nesër, në orën 10:00.