Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

E Enjte, 25.07.2013




Në vazhdimin e sotëm të mbledhjes së 18 dhe 19 korrikut të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari, Jakup Krasniqi (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti), u debatua
lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, roli i EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit, sipas kërkesës së deputetit Kurtan Kajtazi, mbështetur nga deputetët nënshkrues.

Para se të fillojë debati, disa nga deputetët shprehën mospajtime rreth qasjes së debatit. Me këtë rast shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Ismet Beqiri dha arsyet pse LDK-ja nuk do të jetë pjesë e këtij debati, duke vlerësuar se janë shkelur procedurat. "Është keqpërdorur nënshkrimi i deputetëve", tha Beqiri, duke shtuar se nuk janë dakord me tekstin e ri, rezolutën, që është bërë nga iniciuesi i këtij debati, pas nënshkrimit të deputetëve.
Pas deklarimeve të shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve nëse duhet ose jo të vazhdojë debati lidhur me këtë çështje, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, propozoi një mocion, që të hiqet nga rendi i ditës kjo çështje dhe të rifillohen procedurat për këtë çështje, mirëpo ky propozim nuk mori mbështetjen e votave të deputetëve.
Gjatë debatit, deputeti Kurtan Kajtazi tha se mos adresimi plotë dhe përfundimtar i krimeve të luftës do të reflektojë dobësi dhe jo-besueshmëri që i është dhënë sistemit gjyqësor dhe do të ndikojë negativisht në të kaluarën dhe në të ardhmen e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Kajtazi tha se pas të gjitha atyre krimeve që kanë ndodhur në shkallë aq të madhe në Kosovë, shoqëria kosovare ndihet e viktimizuar dhe ka nevojë të sigurohet se kriminelët e shumë masakrave në Kosovë nuk do të kalohen pa u ndëshkuar.
Duke theksuar faktin se adresimi i i fakteve dhe krimeve të luftës asnjëherë nuk ka qënë prioritet, ai shtoi se qysh në vitin 1999 është paraqitur nevoja për themelimin e një gjykate për krime lufte, një gjykatë specialë në Kosovë për të adresuar rastet e krimeve të luftës dhe vrasjet e motivuara etnikisht.
Deputeti Kajtazi theksoi se kufizimet buxhetore dhe mosgatishmëria e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare ka lënë anash themelimin e kësaj gjykate dhe shtoi se nevojat për themelimin e kësaj gjykate ende ekzistojnë dhe janë të domosdoshme.
"Populli i Kosovës ka ushqyer besimin se misioni i EULEX-it do të ndihmojë në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe se do t'iu jap prioritet rasteve të krimeve të luftës dhe krimit në veri të vendit.
Në mënyrë që rastet e krimeve të luftës të adresohen në mënyrë të duhur gjyqtarët, prokurorët, avokatët mbrojtës dhe hetuesit duhet të posedojnë kualifikimet e nevojshme për t'i trajtuar këto raste të ndërlikuara. Domosdoshmëria për kualifikime dhe kompetencë të tillë do të ishte ndër arsyet parësore për themelimin e një ode apo gjykate të specializuar për trajtimin e veprave serioze siç janë krimet e luftës. Instituti Gjyqësor i Kosovës ka ofruar një numër trajnimesh lidhur me rastet e krimeve të luftës si dhe vizita studimore në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë", tha Kajtazi, duke shtuar se një alternativë tjetër do të ishte që gjyqtarët, prokurorët të trajnoheshin edhe nga gjykata për krime lufte në Hagë. Ai shtoi se krijimi i një gjykate apo ode speciale do t'iu krijonte gjykatësve që të përqendrohen ekskluzivisht në rastet e krimeve të luftës, duke ofruar vendosjen e prioriteteve të këtyre rasteve.
Mes tjerash, Kajtazi tha se komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të qëndrueshëm.

Deputeti Behar Selimi, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, theksoi se mbështetë debatin dhe mocionin e propozuar nga deputeti Kajtazi dhe shtoi se debati për këtë çështje mund të zhvillohet mbi bazën e së paku tri parimeve. Ai përmendi krijimin e besimit në drejtësi, bashkëpunimin e organeve vendore të sistemit të ligjit me organet ndërkombëtare, si dhe përgjegjësinë politike që ka ekzekutivi karshi legjislativit. Me këtë rast Selimi tha se besimi në drejtësi duhet të jetë i pakontestueshëm dhe për të qenë drejtësia e pakontestueshme kjo duhet të bazohet në fakte dhe prova, e jo mbi bazën e dëshmive të dëshmitarëve. "Kjo nuk është drejtësi e drejtë", tha Selimi duke shtuar tutje se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, ndërsa tha se për të qenë drejtësi efikase, duhet shërbyer me procedura efikase, e jo të stërzgjatura.
Selimi vlerësoi se për të qenë drejtësi kredibile duhet ndjekur të gjitha llojet e krimeve në veri e jug të Kosovës, si dhe të ndjekë të gjithë kriminelët kudo që ata ndodhen. "Asgjë nuk na pengon që të fillojmë procedurat e ndjekjes, askush nuk i ndalon prokurorët vendorë që të fillojnë ndjekjen e të dyshuarve për krime lufte, kudo që fshihen ata, në Serbi apo Evropë. Kjo do të mund të ishte drejtësi kredibile të cilën do ta përkrahnim fuqishëm", tha Selimi duke përfunduar se qeveria është ajo e cila duhet të informojë për punën dhe rezultatet e EULEX-it.

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se EULEX-i për pesë vite me radhë e ka sakrifikuar drejtësinë për hir të stabilitetit të brendshëm të skenës politike, mirëmbajtjes së kryeministrit Thaçi në pushtet si dhe negociatave me Serbinë.
Tutje ai tha se ka një arsye shumë të thjeshtë pse EULEX-i ka dështuar në luftimin e korrupsionit, ndërsa politika e jashtme e BE-së sipas tij është saktësisht e kundërta e drejtësisë.
"Është pikërisht korrupsioni sot që qeveris me Kosovës. Arsyeja është që EULEX-i si mision është kryesisht në shërbim të politikës së jashtme të BE-së dhe aspak në funksion të drejtësisë në Kosovë. Shtrohet pyetja pse politika e jashtme e BE-së është në kundërthënie me drejtësinë në Kosovë. Është kështu sepse agjenda e jashtme e BE-së tash për tash është sidomos e përqendruar në stabilitetin rajonal. E stabiliteti aktual rajonal nuk ka dyshim se mirëmbahet në kurriz të shqiptarëve". Ai vlerësoi se thelbi i stabilitetit është rregullimi i të drejtave sipas raportit të forcave, dhe kjo është pikërisht mënyra sesi stabiliteti e kodifikon padrejtësinë dhe pabarazinë. Sepse, shtoi ai, stabilitet i vërtetë është vetëm barazia e popujve dhe barazia e pakicave. "Ky stabilitet i padrejtësisë bën që Kosova të shërbejë vetëm si mjet për hyrjen e Serbisë në BE. Serbisë ia plotësuan pothuajse të gjitha ambiciet e saj në veri të Kosovës, kurse Kosova me gjithë ato koncesione mbetet shumë larg në procesin e integrimeve", tha Konjufca.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, fillimisht shfaqi kritika ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve vendorë. "Kush i ka ndaluar prokurorët tanë të ngritin padi qoftë për krime lufte, qoftë për vjedhje, tha Gjini duke shtuar se Kosova vet duhet të jetë në gjendje të krijojë kushtet e sundimit të plotë të ligjit në vend. Gjini tha se një pjesë të vogël të fajit e ka EULEX-i por, sipas tij, fajin kryesor e ka pushteti, meqë në Kosovë nuk ka sundim të ligjit. Tutje ai shfaqi kritika ndaj EULEX-it për zbardhjen e krimeve të luftës, meqë po gjykohen vetëm shqiptarët. "14 vjet pas luftës është duke u marrë me krimet e luftës dhe shumica dërmuese e krimeve të luftës janë bërë nga serbët. Kjo është e gabueshme. Ky fakt po shndërrohet në problem politik", tha Gjini, duke sqaruar se GP i AAK-së nuk do ë marrë pjesë në procesin e votimit për shkak të propozimit të mocionit për heqjen nga rendi i ditës për këtë çështje.
Edhe Myzejene Selmani, shefe e Grupit Parlamentar të KKR-së, tha se sistemi i drejtësisë në vend vazhdon të jetë shumë pak i besueshëm, përkundër përpjekjeve institucionale, ndërsa për EULEX-in tha se duhet të kërkohet që të tregojë efikasitetin e tij, për arsyet të cilat është në Kosovë. Me theks të veçantë ajo kërkoi efikasitet nga ky mision në luftimin e krimit. Më tej ajo tha se sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i brishtë dhe se ka nevojë për përkrahje ndërkombëtare, por shtoi në të ardhmen institucionet vendore duhet të kenë kompetenca të plota edhe në këtë fushë. "Të kemi një drejtësi efikase në pajtim me ligjet dhe kushtetutën', tha ajo.

Deputetët gjatë diskutimit të tyre, kritikuan qasjen e EULEX-it ndaj luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës, e po ashtu shfaqën kritika të shumta ndaj këtij misioni në fushën e sundimit të ligjit.
U tha se EULEX-i nuk merret me hetimet për krimet e forcave serbe që kanë ndodhur në dëm të shqiptarëve dhe për këtë çështje u theksua se duhet të formohet një gjykatë.
"Po gjykohen vetëm shqiptarët dhe nuk po gjykohen kriminelët e vërtetë të luftës", u tha gjatë këtij debati.
U theksua po ashtu se EUELEX-i duhet gradualisht të zvogëlojë prezencën dhe të shkojë, ndërsa pati kritika edhe ndaj gjykatave vendore.
Gjatë këtij debati, fjalën e mori edhe zv/kryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Me këtë rast ai tha se misioni i EULEX-it ka ardhur në marrëveshje me ne dhe duhet të shkojë në marrëveshje me ne. Ai tha se kemi nevojë t'i ngrisim kapacitetet tona për rend dhe ligj dhe vetëm atëherë misioni i EULEX-it do të zvogëlojë prezencën në vend. Ndërsa shtoi se Qeveria i ka kryer obligimet e saj përballë drejtësisë, meqë është ndërtuar një bazë e fortë legale.
"Asnjëherë gjyqtarët me ligjin nuk kanë qenë më të fuqishëm se sot", tha Kuçi, duke përmendur edhe pagën e tyre në nivel ministri.

Pas diskutimit të deputetëve, rezolutën e paraqiti deputeti Kurtan Kajtazi, me këtë përmbajtje :

-Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që deri në shtator të vitit 2013 të sjell në Kuvend planin tranzicional drejt përfundimit të mandatit të EULEX-it, më 15 qershor 2014.
- Kërkohet nga Qeveria e Kosovës të propozojë planin për ngritje dhe plotësimin e strukturave të reja që do të zëvendësojnë strukturat e EULEX-it.
-Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të propozojë amendamentet e ligjit që lidhen me kompetencat e EULEX-it.
-Kërkohet nga Qeveria që të hartojë ligjet dhe të ndërtojë strukturën e domosdoshme në fushën e rendit dhe ligjit, ngjashëm me vendet tjera të rajonit.
-Kërkohet nga të gjitha institucionet tjera kompetente të marrin përgjegjësitë e duhura dhe të plotësojnë obligimet për bartje të përgjegjësive të plota
-Institucionet e Republikës së Kosovës do të mbeten të përkushtuara në rrugën e integrimeve evropiane, duke plotësuar kërkesat që dalin nga ky proces edhe në fushën e rendit dhe ligjit.


Me shumicë votash deputetët miratuan rezolutën lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, roli i EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit.

 

 

Vazhdimi i mbledhjes së KuvenditVazhdimi i mbledhjes së Kuvendit