Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane priti sot ish-zëvendës kryenegociatoren e Kroacisë, Tamara Obradovic Mazal

E Enjte, 25.07.2013




Tamara Obradovic Mazal, ish-zëvendës kryenegociatore e Kroacisë gjatë procesit të integrimit në BE, u prit sot nga Komisioni për Integrime Evropiane. Në këtë takim të cilin e kryesoi, Lutfi Haziri, kryetar i Komisionit, u vunë në pah përvojat e Kroacisë dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar ajo gjatë procesit të integrimit. Duke folur për rrugëtimin e Kroacisë në BE, ish-zëvendës kryenegociatorja Mazal, vuri në spikamë vështirësitë dhe sfidat që Kroacia ka hasur në këtë proces, i cili pas shumë përpjekjeve ka rezultuar me anëtarësimin e vendit të saj në BE, në korrik të këtij viti. Vendosja e sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës, ishin sfidat më të rënda gjatë këtij procesi, tha ajo. Ishte e vështirë, vijoi Mazal, të sqarosh opinionin se ata që kishin luftuar për jetën dhe lirinë e qytetarëve të Kroacisë, duhet të përballen me Tribunalin e Hagës. Po ashtu sfidë ishte edhe lufta kundër korrupsionit dhe çështje të tjera, me të cilat përballen shoqëritë e pas luftës. Suksesin për anëtarësim në Be, ajo ia përshkruajti pjekurisë politike të Qeverisë së Kroacisë, konsensusit politik në mes të partive politike, durimit dhe këmbëngulësisë së qytetarëve për t'u integruar në familjen evropiane. Me këtë rast, ajo bëri thirrje që këto praktika të ndiqen edhe në Kosovë dhe premtoi përkrahjen e pakursyer të Kroacisë.


Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, pasi e përgëzuan atë për anëtarësimin e vendit të saj në BE, i shprehën falënderime për mbështetjen dhe gatishmërinë e treguar për ndihmë të mëtutjeshme. Ata po ashtu e njoftuan atë për rolin e Komisionit në këtë proces, si dhe angazhimet e Kuvendi të Kosovës në përmbushjen e obligimeve në bërjen e legjislativit sipas standardeve të BE-së. Anëtarët e Komisionit, po ashtu theksuan nevojën e konsensusit politik, për të cilin u shprehën se ai tashmë është dëshmuar kur janë në pyetje interesat e vendit. Duke folur për sfidat nëpër të cilat do të kalojë Kosova në procesin e integrimit në BE, anëtarët e Komisionit vunë në dukje mungesën e zhvillimit ekonomik, luftën kundër korrupsionit, papunësinë e lartë në nivel vendi dhe sundimin e ligjit. Lidhur me këtë, ata po ashtu u shprehën të pakompromis në përpjekjet e tyre pa dallim partish deri në arritjen e objektivave shtetërore.

Komisioni për Integrime  Evropiane priti sot ish-zëvendës kryenegociatoren e Kroacisë, Tamara Obradovic Mazal