Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Mërkure, 24.07.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i komisionit Ahmet Isufi, raportoi sot ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, lidhur me zhvillimin e FSK-së dhe objektivat e ministrisë së FSK-së.
Me këtë rast anëtarët e komisionit fillimisht përshëndetën vlerësimin e NATO-s për arritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së, duke theksuar faktin se aspiratë e popullit të Kosovës është që FSK-ja të jetë ushtri e ardhshme e cila siguron siguri, paqe dhe stabilitet në rajon.

Ministri Çeku duke raportuar lidhur me zhvillimet e FSK - së tha se FSK-ja është duke bërë progres të vazhdueshëm, duke u ndërtuar, duke u zhvilluar dhe duke punuar sipas objektivave dhe prioriteteve të cilat janë të përcaktuara. Ai, duke njoftuar në mënyrë kronologjike për objektivat e MFSK-së për vitin 2013, përmendi vendimin e NATO-s për deklarimin e arritjes së kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së.
"Ky është një lloj certifikimi që tani FSK-ja në mënyrë të pavarur mund t'i kryejë detyrat për të cilat ngarkohet me ligjet në fuqi. Kjo është ndër sukseset më të mëdha", tha Çeku duke folur më tej për prioritetet tjera të kësaj ministrie për FSK-në. Mes tjerash ai tha se janë duke ndërtuar me dinamiken e paraparë njësitin dhe qendrën rajonale të kërkim-shpëtimit, e cila pritet të certifikohet dhe standardizohet. Tutje, gjatë raportimit të tij para komisionit parlamentar për siguri, ministri Çeku shtoi se FSK-ja është duke u trajtuar si një partnere, jo vetëm nga vendet e rajonit, por edhe nga NATO, e cila vazhdon ta mbështesë zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit për çështje të ndryshme, me theks të veçantë sa i përket largimit të KFOR-it nga Kosova, ministri Çeku tha se kjo çështje është edhe synim i KFOR-it, megjithatë shtoi se kjo varet nga normalizimi i situatës së sigurisë në vend. "Misioni i KFOR-it është misioni më i gjatë në historinë e NATO-s dhe në interes të NATO-s është që të pakësojë trupat apo edhe t'i largojë ato nga Kosova. Mirëpo, kjo bëhet edhe në bazë të vlerësimit nga autoritetet e vendit. KFOR-i nuk ka data të caktuara të zvogëlimit të trupave apo largimit, por kjo bëhet në bazë të kushteve", tha ministri Çeku, duke shtuar më tej se asnjëherë nuk do të lejojnë zbrazëtira në sigurinë e Kosovës dhe se ky është qëndrim i NATO-s dhe autoriteteve të Kosovës.
Një çështje tjetër që u ngrit gjatë këtij takimi ishte edhe flota ajrore. Për këtë çështje ministri Çeku tha se Kosova duhet ta ketë flotën e vet ajrore, por kjo varet nga buxheti. Ai shtoi se janë duke e trajtuar me seriozitet këtë çështje.
Më tej ai foli edhe përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë në FSK. Për këtë ai tha se ka motiv të lartë nga të gjitha komunitetet për përfaqësim në FSK, madje, shtoi ai, kohëve të fundit edhe nga ai serb. Pyetjeve të anëtarëve të komisionit iu përgjigjën edhe komandanti, gjeneralmajor Rrahman Rama si dhe sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Syla.

Në vijim të mbledhjes, anëtarët e komisionit shqyrtuan amendamentet e gjashtë projektligjeve që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Me këtë rast u përkrahën amendamentet e komisionit të këtyre projektligjeve: Projektligjit nr. 04/L-219 për të Huajt, Projektligjit nr. 04/L-217 për Azilin, Projektligjit nr. 04/L-215 për Shtetësinë e Kosovës, Projektligjit nr. 04/L-218 për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, Projektligjit nr. 04/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, si dhe të Projektligjit nr. 04/L-216 për bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të përfshira në menaxhimin e integruar të kufirit.
Përkrahjen e anëtarëve të komisionit për procedim në mbledhjen e Kuvendit e morën edhe rekomandimet e komisionit lidhur me mbikëqyrjen e shpenzimeve financiare të institucioneve të sigurisë.

 

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së