Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Mërkure, 24.07.2013
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetarja, Suzan Novobërdali, shqyrtoi dy raporte: Raportin kundër trafikimit me qenie njerëzore për vitin 2012 dhe Raportin për zbatimin e rekomandimeve për të drejtat e fëmijëve. Po ashtu, Komisioni rishqyrtoi edhe rekomandimet e Raportit për zbatimin e Ligjit për barazi gjinore, me ç'rast, 13 nga gjithsej15 rekomandimet e propozuara nga grupi punues, vendosi t'i procedojë për miratim në mbledhje plenare të Kuvendit. Për sa i përket Raportit kundër trafikimit me qenie njerëzore për vitin 2012, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërkaq, komisioni vendosi t'ia kthejë Ministrisë që ta plotësojë, duke kërkuar po ashtu që në Raport të përfshihen të gjitha grup-moshat që janë viktimë e trafikimit. Në këtë mbledhje, komisioni miratoi edhe Raportin për zbatimin e rekomandimeve për të drejtat e fëmijëve, i cili do të shqyrtohet në mbledhje plenare të Kuvendit.
Anëtarët e komisionit, në vijim të kësaj mbledhje, diskutuan edhe për realizimin e Planit të Punës së Komisionit për sesionin pranveror 2013 si dhe përgatitjen e Planit për sesionin vjeshtor.