Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Hënë, 22.07.2013
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka shqyrtuar disa projektligje, si dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit për gjashtemujorin e parë të vitit 2013.
Fillimisht, në përpjekje për të harmonizuar rekomandimet me Komisionin për Legjislacion, komisioni u dakordua që të mbajë një mbledhje të përbashkët, në të cilën do të shqyrtohej vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat më tarif zero të tatimit doganor, si dhe Projektligji për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.
Në vazhdim, komisioni përkrahu Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare "ISTISNA'A" dhe marrëveshjes për Agjencinë "ISTISNA'A" për financimin e vazhdimit të ndërtimit të rrugës Milloshevë-Mitrovice, Rruga M2, e lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Islamike për Zhvillim, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes kornizë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime që rregullon aktivitetet e Bankës Evropiane për Investimet në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim-Financimi i Dytë Shtesë për Projektin e Pastrimit të Sektorit të Energjisë dhe të Bonifikimit të Tokave-CLRP.
Projektligjet u prezantuan nga ministri i Financave, Besim Beqaj, i cili i konsideroi ato të rëndësishme dhe me leverdi për Kosovën.
Më pas, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058, me amendamente, dhe i rekomandoi seancës miratimin e tij.
Në këtë mbledhje, u përkrah edhe raporti i shpenzimeve të Kuvendit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, të cilin e prezantoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.