Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 22.07.2013




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që të enjten, më 25 korrik, të vazhdohet me seancën e papërfunduar e javës së shkuar. Ka mbetur që seanca të vendosë për kërkesën e deputetit Krutan Kajtazi ( e mbështetur nga 63 deputetë nënshkrues) për debat parlamentar lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, roli i EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit.

Në seancën e re të rregullt , të së njëjtës ditë, deputetët pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe Koha për pyetje parlamentare, do të merren me shqyrtimin e projektligjeve.

Për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-165 për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, kurse për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Projektligji nr. 04/L-206 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-047 për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për tregun e naftës dhe të produktet e naftës në Kosovë.

Për herë të dytë parashihen, ndërkaq, të shqyrtohen edhe këto projektligje: Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për tregtinë e mallrave strategjikë, si dhe Projektligji për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti vjetor i punës së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2012, Raporti i Qeverisë së Kosovës për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të Kosovës për vitin 2012, si dhe Raporti i punës së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.

Në përfundim të seancës parashihet zgjedhja e një anëtari të Këshillit Drejtues të Institutin Gjyqësor të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është shqyrtuar kërkesa e GP të AAK-së për emërimin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e GP të AAK-së, me pretendimin se aktualisht është grupi i tretë sipas numrit të deputetëve. Duke qenë se shumica e anëtarëve të Kryesisë dhe e shefave të grupeve parlamentare kanë mbajtur qëndrim se fuqia e grupeve parlamentare llogaritet në bazë të votave të fituara në zgjedhjet parlamentare dhe jo nga numri i deputetëve që mund t'i kenë më vonë ( gjatë Legjislaturës së dhënë), shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka pohuar se çështjen do t'ia dërgojnë për interpretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kryesia ia ka kthyer Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri Raportin e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së, në mënyrë që për Kuvendin të përgatisë raportin me rekomandime.

Duke e shqyrtuar kërkesën e deputetes Alma Lama lidhur me procedimin e Projektligjit për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, Kryesia ka konstatuar se Komisioni funksional e ka shqyrtuar Projektligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë dhe ka kërkuar nga komisionet e përhershme që ta shqyrtojnë këtë Projektligj. Duke qenë se komisionet e përhershme ende nuk e kanë shqyrtuar Projektligjin e lartshënuar, Kryesia , konform Rregullores së Kuvendit, ka vendosur, që projektligjin në fjalë ta procedojë për shqyrtim në Kuvend.

Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar lidhur me vizitën zyrtare të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, të realizuar në Maqedoni, prej 24-26 qershor 2013.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës