Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Premte, 19.07.2013
Vazhdimi i sotëm i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, që fillimisht u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sabri Hamiti, filloi me procesin e votimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i cili ligj nuk u miratua meqë nuk arriti të ketë votat e mjaftueshme nga deputetët e komuniteteve jo shumicë. Deputetët, më tej përkrahën në parim Projektligjin për kimikate, si dhe Projektligjin për Agjencinë e punësimit në Republikën e Kosovës, ndërkaq qeverisë i kthehet Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës pas shqyrtimit në lexim të dytë.
Me këtë rast kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, sqaroi se komisioni i rekomandon Kuvendit mosmiratimin e këtij projektligji dhe se duhet t'i kthehet qeverisë për shkak se shkel rregullat kushtetuese, por propozimi i komisionit nuk mori mbështetjen e votave të deputetëve. Megjithatë, pas një debati të deputetëve të cilët paraqitën shqetësimet e tyre rreth projektligjit i cili u vlerësua se shkel Kushtetutën e Kosovës, fjalën e mori zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili sqaroi se qeveria e tërheq ligjin për ripunim.
Në vijim të mbledhjes, të kryesuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, një debat i gjerë i deputetëve u zhvillua edhe gjatë shqyrtimit të raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me faturimin e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin janar 2013, kohën e llogaritjes sipas tarifës së lirë, njehsorit digjital dhe masat e ndërmarra në lidhje me këtë rast.
Duke e arsyetuar raportin me rekomandime, deputeti Muhamet Mustafa, sqaroi se komisioni është përqendruar për çështjen e faturimit të muajit janar të vitit 2013, investimet në njehsorët digjital dhe masat e ndërmarra për këtë çështje. Sipas këtij raporti, faturat e muajit janar të vitit 2013 janë të ngjashme me faturimin e konsumit të vitit 2012 dhe se nuk ka pasur gjetje specifike. Bazuar në këtë raport, është konstatuar se teknikisht nuk ka pasur shkelje të procedurave dhe nuk janë konstatuar gabime te qëllimshme apo ngritje të çmimeve, ndërkaq u paraqitën vërejtje dhe mangësi tjera. Sipas deputetit Mustafa, ka probleme në komunikimin e KEK-ut me konsumatorët. Mes tjerash ky komision i ka rekomanduar ZRRE-së dhe KEDS-it që të marrin masa përkatëse për të përmirësuar komunikimin me qytetarët, ngritje të transparencës , si dhe të sigurohen standarde të nevojshme të rrymës në cilësi dhe sasi.
Kryetari i këtij komisioni, Muhamet Mustafa, tha se në këtë raport i janë përgjigjur të gjitha çështjeve që i ka obliguar Kuvendi, duke konkluduar më tej se faturimi është bërë sipas rregullave dhe nuk janë shkelur ligjet e faturimit, megjithatë ai shprehu kritika ndaj ngarkesës së tarifave, duke theksuar se ka pasur deformim të tyre. Mustafa shtoi se kryeministri i vendit duhet që të ndërmarrë masa në mënyrë që të disiplinojë ministrat që të mos ndërhyjnë tek organet e pavarura.
Me këtë rast folën edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, si dhe ministri i Financave, Besim Beqaj. Ministri Beqaj tha se vet puna e këtij komisioni ka treguar se nuk ka pasur shkelje ligjore dhe kjo heq dilemat e qytetarëve, se çdo veprim është ndërmarrë me bazë ligjore.
Krejtësisht në fund të shqyrtimit të këtij raporti përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar, Kuvendi me shumicë votash e miratoi atë.
Më tej, deputetët formuan Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media, ndërsa përkrahën edhe propozimin e GP të Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e anëtares Alma Lama në Komisionin për Integrime Evropiane. Me këtë rast anëtar i këtij komisioni do të jetë nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Para fillimit të debatit parlamentar lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, roli i EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit, sipas kërkesës së deputetit Kurtan Kajtazi, mbështetur nga deputetët nënshkrues, deputeti Arben Gashi, duke folur në emër të GP të LDK-së, shfaqi vërejtje se objekti i kërkesës ka ndryshuar pasi janë mbledhur nënshkrimet e deputetëve, duke kërkuar që kjo pikë të mos diskutohet dhe të kthehet që nga fillimi procedura. Megjithatë, kërkesa e tyre nuk gjeti mbështjetjen e votave të deputetëve.
Por, në mungesë kuorumi mbledhja e Kuvendit për shqyrtimin e kësaj pike është shtyrë. Për këtë çështje do të vendosë Kryesia e Kuvendit.