Lajmet e fundit

Seancë e Kuvendit, me rastin e vizitës së Komisionarit të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, Stefan Fyle

E Enjte, 18.07.2013




Me rastin e vizitës në Kosovë të Komisionarit të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, z. Stefan Fyle, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancë solemne, në të cilën komisionari evropian ka mbajtur një fjalë rasti.

Fillimisht, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, duke i uruar z. Fyle mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, tha se ardhja e tij kësaj radhe ka një sebep të madh dhe ogur të bardhë. Kosova, shtoi Krasniqi, më në fund po hyn në procesin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian, ndërsa shfaqi shpresën që të nisin dhe të përmbyllen shumë shpejt negociatat midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

"Jemi të bindur që Bashkimi Evropian dhe të gjithë mekanizmat e institucionet e tij, do ta mbështesin fuqishëm vendin tonë në këtë proces historik, sepse Kosova e re ka kaq shumë nevojë për paqe e siguri të qëndrueshme, stabilitet e zhvillim demokratik, reformim të gjithanshëm dhe ngritje të fuqishme ekonomike, për drejtësi, sundim të ligjit e mirëqenie sociale dhe së fundi, për t'u ndjerë e barabartë dhe dinjitoze midis vendeve të lira dhe demokratike", theksoi kryeparlamentari Krasniqi, ndërsa shtoi se Kosova e meriton me tërë kuptimin e fjalës mbështetjen evropiane, për potencialin e vlerave që ka dhe për vullnetin e madh e përkushtues në integrimet euroatlantike.

Në vazhdim, Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës po jep kontribut të pazëvendësueshëm në proceset integruese evropiane të Kosovës, sidomos në fushën e legjislacionit dhe të zbatimit të planeve të tij të veprimit, konform rekomandimeve të raporteve të progresit të Komisionit Evropian. "Veprimtaria e fundit e Kuvendit tonë në drejtim të integrimit dhe të liberalizimit të vizave ishte vetëm pak orë më parë në këtë sallë, kur shqyrtuam një varg ligjesh që kanë të bëjnë me këtë proces", theksoi ndër të tjera kryetari Krasniqi.

Komisionari Evropian për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, Stefan Fyle, në fjalën e tij para deputetëve, shprehu kënaqësinë që është në gjendje të konfirmoj paraqitjen e një agjende evropiane ambicioze së bashku, Kosova dhe Bashkimi Evropian. Ai tha se ka pasur një ndryshim sizmik në këto raporte vetëm brenda disa muajve.

"Kosova ka realizuar një ‘marrëveshje të parë parimore' me Serbinë dhe është pajtuar për harmonizimin e planit të implementimit. Dhe Bashkimi Evropian është pajtuar që të nisë negociatat për një Marrëveshje Stabilizim Asociimi me Kosovën", theksoi Fyle. Ai shtoi se Kosova duhet të vazhdojë punën e saj në prioritetet e studimit të fizibilitetit dhe në raportet e saj me Serbinë.

"Nga ana jonë, ne do të vazhdojmë të mobilizojmë dhe të fuqizojmë më tej mjetet që kemi në dispozicionin tonë për t'ju ndihmuar. Përmes Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit, ne do t'ju ndihmojmë që të fokusoheni në prioritetet përtej vitit 2014 dhe për të ardhmen, dhe të pajtoheni për veprim të synuar për arritjen e objektivave të përbashkëta. Ne do të aprovojmë të gjitha instrumentet tona për të qenë në gjendje që t'ju ndihmojmë më mirë. Ne do ta fuqizojmë partneritetin tonë", theksoi komisionari evropian për zgjerim, ndërsa shtoi se Komisioni Evropian është bërë një partner më i rëndësishëm për Kosovën sa kurrë ndonjëherë. Ai tha se Kosova tani është vendosur fuqishëm në rrjedhën e zgjerimit.

Duke negociuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, shtoi ai, Komisioni është angazhuar me Kosovën më shumë se kurrë më parë.

"Ne jemi zotuar fuqishëm që t'ju ndihmojmë të bëheni pjesë e rrugës për tërë rajonin e Ballkanit perëndimor, për të qenë pjesë integrale e Bashkimit Evropian, duke mos lënë prapa ambicien dhe progresin e të tjerëve", theksoi ndër të tjera Fyle.

Në vazhdim, po japim fjalën e plotë të komisionarit Stefan Fyle:

"Z. kryetar,
Anëtarë të nderuar të Kuvendit,
Zonja dhe zotërinj,

Ju faleminderit shumë për ftesën tuaj sot. Në mars të vitit të kaluar unë pata privilegjin dhe mundësinë që t'u adresohem disa prej jush. Mirëpo në atë kohë, ne kishim një agjendë ambicioze, të vendosur nga Këshilli i dhjetorit, dhe po shikonim para drejt vendimeve të rëndësishme për ta realizuar këtë ambicie.

Sot, rreth katër muaj pas, unë kam kënaqësinë që jam në gjendje të konfirmoj se ne kemi paraqitur një agjendë evropiane ambicioze së bashku, Kosova dhe Bashkimi Evropian. Kemi pasur një ndryshim sizmik në raportet tona vetëm brenda disa muajve. Kosova ka realizuar një "marrëveshje të parë parimore" me Serbinë dhe është pajtuar për harmonizimin e planit të implementimit. Dhe Bashkimi Evropian është pajtuar që të nisë negociatat për një Marrëveshje Stabilizim Asociimi me Kosovën.

Këto zhvillime meritojnë një reflektim, të ndalemi për të menduar para se të lëvizim tutje së bashku.

Pra, si ka ardhur e gjithë kjo? Çfarë e ka mundësuar këtë? Janë tre faktorë që më vijnë ndër mend menjëherë:

Vizioni;
Kreativiteti dhe
Kuraja.

Ne ndajmë një vizion me Kosovën, të qenit pjesë e Evropës. Ky është një vizion gjithëpërfshirës. Një vizion i Kosovës për të qenë një vend:

Ku të gjithë qytetarët e saj jetojnë së bashku në harmoni, pa marrë parasysh etninë e tyre;

Ku të gjitha pozitat e shoqërisë përfaqësohen për pjesëmarrje në një debat të hapur për prioritetet dhe drejtimin e Kosovës, pa varësisht nga animi politik dhe ku protestat e dhunshme dhe kërcënimi i takojnë së kaluarës;

Ku - si rezultat - të gjithë qytetarët janë të motivuar për të kontribuuar në mënyrë konstruktive në ndërtimin e një shteti që i ka drejtuar sytë drejt së ardhmes dhe i cili ndjehet i qetë me fqinjët e tij. Një vend i ndërtuar mbi parimet demokratike të kontrolleve dhe bilanceve të të tri pushteteve - ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit.

Ne ndajmë një vizion të një Kosove që është pjesë e një rajoni gjithëpërfshirës. Një vizion i Kosovës që ndan të njëjtat perspektiva si fqinjët e saj, duke punuar shumë për të tejkaluar sfidat e ngjashme dhe e cila dëshiron të jetë pjesë e zgjidhjeve të njëjta. Mbi të gjitha, ky është një vizion i Kosovës që ndan të njëjtin fat sikurse fqinjët e saj.

Ky është vizioni që ka udhëhequr punën tonë së bashku. Kosova ka luajtur rolin e saj përmes:

Implementimit të agjendës së reformave të Bashkimit Evropian;

Adresimit të prioriteteve të identifikuara në studimin tonë të fizibilitetit;

Arritjes së progresit konkret dhe të qëndrueshëm jo vetëm në sundimin e ligjit, administratës publike dhe mbrojtjes së minoriteteve, mirëpo edhe në tregti, dhe përmes përmirësimit të raporteve të saj me fqinjët;

Angazhimit konstruktiv në një dialog me Serbinë në kuadër të kornizës së perspektivës evropiane të të dyja vendeve.

Ne e ndajmë këtë vizion duke mbështetur Kosovën aty ku mundemi përmes asistencës financiare dhe teknike dhe me këshilla, me anë të mobilizimit të të gjitha mjeteve tona për zgjerim, përfshirë këtu Dialogun e Strukturuar për Sundimin e Ligjit dhe Dialogun për Procesin e Stabilizim Asociimit.

Të nderuar anëtarë të parlamentit,

Faktori i dytë që kam identifikuar ishte kreativiteti. Pa kreativitet, Kosova nuk do të kishte gjetur mënyra për t'u dakorduar me Serbinë për çështje të vështira të cilat mbulohen nga "Marrëveshja e parë parimore" historike e 19 prillit, si:
Pjesëmarrja dhe përfaqësimi rajonal i Kosovës; dhe
MIK (IBM).
Pa kreativitet, ne nuk do t'u kishim propozuar shteteve tona anëtare një Marrëveshje Stabilizim Asociimi me Kosovën në fund të vitit të kaluar. Dhe ne nuk do të kishim gjetur mënyra për të marrë një autorizim nga Këshilli për të punuar me ju në një marrëveshje Stabilizim Asociimi të fortë, e cila përfshin dispozitat për tregti, treg të brendshëm, drejtësi dhe çështje të brendshme, politikë të huaj dhe të sigurisë dhe një sërë politikash të gjera bashkëpunimi.

Zonja dhe zotërinj,

I fundit nga këta faktorë është kuraja. Pa kurajë, lidershipi i Kosovës nuk do të ishte angazhuar në dialogun e nivelit të lartë me Serbinë në tetorin e vitit të kaluar, nuk do të ishte në gjendje që të gjente kompromise që shpien drejt Marrëveshjes së parë historike të prillit. Nuk do të ishte arritur dakordim në maj për planin e implementimit. Dhe nuk do të ishte propozuar për ratifikim marrëveshja e prillit nga ky Kuvend, për t'u aprovuar nga dy të tretat shumicë disa javë më parë.

Dhe nga ana jonë, BE-ja pati kurajën që të vjen me një mandat për një marrëveshje Stabilizim Asociimi me Kosovën, derisa shtetet tona anëtare kanë pozita të ndryshme mbi statusin e Kosovës dhe disa kanë edhe çështje serioze lidhur me kompetencat e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare.

Prandaj, ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku, të udhëhequr nga vizioni ynë, duke përdorur kreativitetin tonë dhe kurajën tonë për të adresuar sfidat me të cilat ballafaqohemi.

Neve na duhet që ju të vazhdoni me implementimin e marrëveshjeve të Dialogut me Serbinë dhe të punoni për marrëveshjet e reja, për të negociuar një Marrëveshje Stabilizim Asociimi dhe ta implementoni atë, dhe ta bëni Kosovën një vend më të mirë për të jetuar për të gjithë qytetarët e saj, duke e shpjerë përpara agjendën e reformave. Dhe ne duhet të punojmë drejt momentit kur të gjitha vendet në rajon do të jenë të gatshme t'i bashkohen Bashkimit Evropian.

Ju, Kuvendi i Kosovës, luani rolin kryesor në këtë mes. Ju duhet të tregoni vizion, kreativitet dhe kurajë për të miratuar legjislacionin kryesor, në mënyrë që të siguroni se zgjedhjet i plotësojnë standardet evropiane. Qytetarët e Kosovës presin prej jush që ta kryeni detyrën tuaj pa vonesë.

Ju gjithashtu duhet të keni vizion dhe kurajë për të miratuar legjislacionin që mundëson funksionimin e marrëveshjes së prillit. Kjo nënkupton aprovimin nga ana juaj të legjislacionit dhe proceseve të vështira, si ai i Ligjit për Amnisti që ndodhi javën e kaluar, dhe të dakordoheni për legjislacionin e ardhshëm lidhur me vetë-qeverisje lokale dhe të drejta të komuniteteve.

Ju duhet t'i merrni këto vendime të vështira dhe nganjëherë të dhimbshme që Kosova të jetë në gjendje të kthejë faqen dhe të bëhet anëtare paqësore dhe e suksesshme e familjes sonë evropiane. Ju duhet të mbani llogaridhënie ekzekutive: të debatoni për ligjet dhe politikat, të monitoroni implementimin e tyre dhe të kërkoni vendimet e ministrave. Në të njëjtën kohë, ju do të krijoni kushte dhe një mjedis në të cilin gjyqësori e bën punën e tij për sundim të ligjit, i papenguar dhe pa presion politik. Ju gjithashtu duhet të finalizoni aprovimin e legjislacionit që ka të bëjë me dialogun për liberalizimin e vizave, në të cilin ka punuar qeveria bashkë me ne që nga miratimi i raportit për viza në muajin shkurt.

Kur është fjala për integrimin evropian, EULEX-i është gjithashtu një instrument i veçantë i krijuar për t'i ndihmuar Kosovës në arritjen e standardeve evropiane në Sundimin e Ligjit. EULEX-i, përfshirë gjykatësit dhe prokurorët e tij, vepron si një pjesë integrale e institucioneve të Kosovës dhe zbaton ligjin e Kosovës. Ju duhet që në mënyrë aktive ta mbështesni EULEX-in në implementimin e mandatit të tij, ashtu siç është bërë e qartë në Studimin e Fizibilitetit të viti të fundit. EULEX-i është një mbështetje për të mirën e Kosovës; një mbështetje prej së cilës nuk mund të përfitojnë vendet e tjera në rajon. Ai është edhe një mbështetje e nevojshme në fushat kryesore ku ka mungesë të qartë të kapacitetit lokal.

Sundimi i ligjit do të vazhdojë të mbetet një temë kryesore e Kosovës, ashtu siç do të jetë edhe për pjesën tjetër të rajonit. Bashkimi Evropian do të vazhdojë t'i ndihmojë Kosovës në përpjekjet e saj për të fuqizuar sundimin e ligjit. Me lëvizjen para të Kosovës, edhe Bashkimi Evropian lëviz para. Ne do të përshtatim partneritetin tonë me ju sipas progresit që ju arrini. Komisioni është i gatshëm që të rrisë përfshirjen e tij në raportin e BE-së me Kosovën, përfshirë këtu sundimin e ligjit. Duke e bërë këtë, natyra e mbështetjes së tij do të ndryshojë.

Z. kryetar, të nderuar anëtarë të Kuvendit, zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që t'i përmbledh sfidat e periudhës që kemi përpara:
Propozoj që t'i bashkojmë forcat dhe të nisim negociatat për një marrëveshje Stabilizim Asociimi pas kësaj vere, në bashkëpunim të ngushtë me vendet tona anëtare. Propozoj që t'i caktojmë negociatorët tonë përkatës. Propozoj që të organizojmë punën ashtu qe sesionet zyrtare të negociatave t'i mbajmë në tetor, nëntor dhe në shkurt të vitit të ardhshëm. Propozoj që të krijojmë grupe punuese teknike të përbashkëta për t'i përgatitur këto sesione. Dhe në bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare, propozoj që t'i vëmë vetes caqe ambicioze që ta përmbledhim punën tonë në pranverë.

Paralelisht, Kosova do të duhet të vazhdojë me punën e mirë që ka bërë në përgatitjen e Këshillit të qershorit. Kosova duhet të vazhdojë punën e saj në prioritetet e studimit të fizibilitetit. Do të duhet të vazhdojë të punojë në raportet e saj me Serbinë. Nga ana jonë, ne do të vazhdojmë të mobilizojmë dhe të fuqizojmë më tej mjetet që kemi në dispozicionin tonë për t'ju ndihmuar. Përmes Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit, ne do t'ju ndihmojmë që të fokusoheni në prioritetet përtej vitit 2014 dhe për të ardhmen, dhe të pajtoheni për veprim të synuar për arritjen e objektivave të përbashkëta. Ne do të aprovojmë të gjitha instrumentet tona për të qenë në gjendje që t'ju ndihmojmë më mirë. Ne do ta fuqizojmë partneritetin tonë.

Komisioni Evropian është bërë një partner më i rëndësishëm për ju sa kurrë ndonjëherë. Kosova tani është vendosur fuqishëm në rrjedhën e zgjerimit. Duke negociuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Komisioni është angazhuar me Kosovën më shumë se kurrë më parë. Ne jemi zotuar fuqishëm që t'ju ndihmojmë të bëheni pjesë e rrugës për tërë rajonin e Ballkanit perëndimor, për të qenë pjesë integrale e Bashkimit Evropian, duke mos lënë prapa ambicien dhe progresin e të tjerëve.

Pres me padurim punën tonë të mëtutjeshme së bashku, si partnerë që mund t'i besojmë dhe mund të mbështeten në njëri-tjetrin. Ne besojmë dhe mbështetemi në rezultatet e Kosovës për përmirësimin e raporteve të saj me Serbinë dhe në vazhdimin me agjendën e saj të reformave të Bashkimit Evropian. Dhe Kosova mund të na besojë dhe të mbështetet tek Bashkimi Evropian për mbajtjen e premtimit të saj dhe nënshkrimit dhe realizimit të një Marrëveshje Stabilizim Asociimi dhe ndërtim të mëtejshëm të raporteve tona, për të siguruar se Kosova mund ta ketë vendin e saj që i takon në Evropë.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj".

 

Seancë e Kuvendit, me rastin e vizitës së Komisionarit të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, Stefan FyleSeancë e Kuvendit, me rastin e vizitës së Komisionarit të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, Stefan FyleSeancë e Kuvendit, me rastin e vizitës së Komisionarit të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, Stefan FyleSeancë e Kuvendit, me rastin e vizitës së Komisionarit të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, Stefan Fyle