Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 18.07.2013




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, (një pjesë u udhëhoq nga Sabri Hamiti, nënkryetar i Kuvendit) pas përfundimit të pikave të përhershme të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, deputetët fillimisht me 2/3 e votave përkrahën propozimin për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit për shqyrtimin e tetë (8) projektligjeve që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Pas prezantimit të projektligjeve nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Financave, Besim Beqaj, deputetët miratuan në parim tetë projektligje që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave: Projektligjin për të Huajt, Projektligjin për Azilin, Projektligjin për Shtetësinë e Kosovës, Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, Projektligjin për bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të përfshira në menaxhimin e integruar të kufirit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për financimin e subjekteve Politike, të ndryshuar dhe të plotësuar me Ligjin nr.04/L-058, si dhe Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale.

Në vijim të mbledhjes, deputetët shqyrtuan në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, pas arsyetimit të projektligjit nga ana e ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar. Me këtë rast ministri Yagcilar theksoi se me këtë projektligj synohet që të rregullohen festat zyrtare dhe të zvogëlohen ditët e pushimit. U theksua fakti se nëse festat bien ditën e shtunë ose të diel, atëherë kjo nuk do të bartet në ditët e punës, ndërkaq Yagcilar sqaroi se Dita e Evropës dhe 1 Maji nuk do të jenë në Ligjin për Festat Zyrtare. Më tej sqaroi edhe datat e ditëve memoriale për komunitetet joshumicë (egjiptianët, kroatët dhe malazezët).

Pas diskutimit të deputetëve lidhur me këtë çështje, folën edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.

Kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, në fjalën e tij lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, theksoi se edhe pse në praktikën tonë festat kuptohen si pushim duhet të ndryshohet logjika dhe duhet të mësohemi të festojmë duke punuar, meqë shtoi ai, kjo nuk ia prish bukurinë festave dhe duhet të zbatohet një normë për të gjitha festat. Ai tha se festat duhet të festohen në të njëjtën ditë që ato bien, e jo të vazhdohen në ditën tjetër, qofshin ato festa shtetërore, fetare apo ndërkombëtare.
"Nëse këtu jemi si përfaqësues të qytetarëve dhe e përfaqësojmë vullnetin e tyre, atëherë ka pushuar çdo arsye që 28 nëntori të mos jetë festë kryesore e kombit shqiptar, festë kombëtare. Kjo festë duhet të jetë në ballë të oxhakut, e pastaj të vijnë tjerat", tha kryekuvendari Krasniqi duke folur më tej edhe për çështjen e 5, 6 e 7 marsit, me ç‘rast tha se asgjë nuk e prish bukurinë e festës nëse punohet dhe njëkohësisht nderohet. Krasniqi po ashtu përmendi edhe faktin se edhe bektashinjtë e Kosovës duhet të kenë një datë të shënuar në festat zyrtare.

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sabri Hamiti, gjatë deklarimit të tij lidhur me këtë çështje, tha po ashtu se festat shtetërore ose ato fetare duhet të festohen vetëm ditën kur ato bien.
"Të festat shtetërore duhet të hyjë si festë zyrtare patjetër 28 nëntori, dita e flamurit, dita e shqiptarëve. Prej Skënderbeut deri të Ismail Qemaili dhe pas Ismail Qemailit gjithsecila datë e rëndësishme që ka identifikuar ndodhitë, ngjarjet me peshë për identitetit shqiptar, lidhen me këtë datë", tha Hamiti, duke theksuar mes tjerash se pajtohet me faktin që të gjitha etnitetet t'i kenë ditët përkujtimore, por shtoi , le të bëhemi konkretë e të qartë dhe të mos bëhemi hipokrit, nuk është në Kosovë njësoj si dita e shqiptarëve, si dita e kroatëve, ngase jemi mbi 90 për qind shqiptarë, tha ai.


Deputetët me pas shqyrtuan në lexim të parë edhe Projektligjin për kimikate, (pas prezantimit të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi), mirëpo në mungesë kuromi ata ndërprenë mbledhjen për të vazhduar punimet gjatë ditës së nesërme (e premte), duke filluar nga ora 10:00

 

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit