Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti Komisionarin Evropian për Zgjerim, Stefan Fyle
E Enjte, 18.07.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot Komisionarin Evropian për Zgjerim, Stefan Fyle, më të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, për rrugën e evropiane të Kosovës dhe për punën e institucioneve të Kosovës, në mënyrë të veçantë për rolin e të Kuvendit në procesin e bisedimeve me Serbinë, të ndërmjetësuara nga BE-ja.
Komisionarin Evropian për Zgjerim, Stefan Fyle, ka shprehur kënaqësinë që ndodhet për vizitë në Kosovë, dhe për përfshirjen në këtë agjendë edhe të legjislativit të Kosovës. Ai ka theksuar se ndjehet mirë kur sheh përparimet në rrugën e tejkalimit të konflikteve në rajon dhe për punën që ka bërë Kuvendi, si miratimi i Marrëveshjes së Brukselit, miratimi i Ligjit për Amnistinë dhe miratimin e ndryshimeve të tetë ligjeve që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe falënderuar për gjithë mbështetjen e BE-së dhe personalisht të z. Fyle për Kosovën, procesin e liberalizimit të vizave dhe për rrugën evropiane të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar se Kuvendi i Kosovës ka marrëdhënie shumë të mira me Parlamentin Evropian dhe beson fuqishëm se institucionet e BE-së do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane. "Jam shumë i bindur se institucionet dhe populli i Kosovës do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e BE-së, pa të cilin zor se do t'i realizonim të arriturat tona evidente", ka theksuar kreu i Kuvendit.
Krasniqi ka pohuar se Kuvendi e ka bërë punën e tij në raport me bisedimet Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së, duke kërkuar ndikim shtesë pozitiv për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Në përfundim të takimit Krasniqi e ka shoqëruar z. Fyle në sallën e Kuvendit, për nderë të të cilit është mbajtur një seancë solemne.