Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Mërkure, 17.07.2013
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdali, kryetare, ka shqyrtuar raportin për mbikëqyrjen e Ligjit për barazi gjinore dhe një sërë informatash nga ministri të ndryshme.
Kryetarja e komisionit, Novobërdali, bëri prezantimin e raportit, duke shpalosur hollësi nga përmbajtja e tij.
Ajo tha se ky raport është pasqyrim i të gjeturave nga aktivitetet e grupit punues dhe përfshin disa rekomandime.
Rekomandimet, ndër të tjera, parashihnin plotësim-ndryshimin e Ligjit për barazi gjinore, ngritjen e nivelit të raportimit qeveritar në Kuvend për çështjet e barazisë gjinore, ngritjen e nivelit të përfshirjes së zyrtarëve/eve për barazi gjinore, si në vendimmarrje ashtu edhe në zbatimin e propozimeve për hartimin e politikave zhvillimore, ngritjen e nivelit të përfshirjes në këshillat dhe komisionet seleksionuese të përzgjedhjes në procesin e rekrutimit të stafit nga zyrtarët për barazi gjinore etj.
Në komision pati edhe mospajtime lidhur me rekomandimin e parë, sidoqoftë, me shumicë votash, u përkrah raporti dhe u procedua tutje në Kuvend.
Në vazhdim, komisioni shqyrtoi një varg informatash nga dikasterë të ndryshëm qeveritarë, si: Zyra e Komisionarit për Gjuhët në Zyrën e Kryeministrit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.