Lajmet e fundit
U mbajt tryeza Pozita e grave të komunitetit rom në Kosovë
E Marte, 16.07.2013
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me NDI-në, ka organizuar sot tryezën me temën: "Pozita e grave të komunitetit rom në Kosovë".
Deputetja Flora Brovina, e cila e udhëhoqi këtë tryezë, evokoi kujtime nga përvoja e saj, duke vlerësuar se ndjeshmërinë për gjendjen jo të mirë të romëve në Kosovë e ka fituar gjatë punës së saj si mjeke.
"Ne si shoqëri dhe si institucione, na takon që së bashku me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të krijojmë mundësi që të përmirësohet pozita e tyre", theksoi deputetja Brovina.
Deputeti Albert Kinolli tha se pozita e romëve në Kosovë është më e vështira, sepse, sipas tij, ata ballafaqohen me analfabetizëm, varfëri e papunësi.
Deputetja Albulena Haxhiu ndërkaq, tha se ky komunitet është më i margjinalizuari në Kosovë. Ajo tha se ka rreth 8000 romë dhe varfëria te ta është shumë e madhe.
"Ata marrin vetëm rreth 80 euro në muaj e mos të flasim për problemet si janë analfabetizmi, papunësia, dhuna në familje etj", u shpreh Haxhiu.
Panelistja Shpresa Agushi, drejtore e Rrjetit të grave rome, ashkali dhe egjiptiane, tha se gruaja rome është trefish e diskriminuar dhe duhet bërë më shumë, sidomos në zbatimin e Strategjisë për integrimin e këtyre komuniteteve në shoqëri.
Në diskutim morën pjesë edhe Bashkim Ibishi , Daut Qingallgjiu, Mimoza Gavrani etj.
Nga kjo tryezë u rekomandua që të bëhet më shumë për nxitjen e arsimimit të fëmijëve dhe të rinjve romë, të aplikohen politika afirmative me qëllim të përfshirjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe gruas në veçanti, në institucione qendrore dhe lokale, të inkurajohen gratë nga këto komunitete që të angazhohen në parti politike, të gjenden forma për ngritjen dhe kualifikimin e këtyre komuniteteve, me qëllim të punësimit të tyre, të përfshihen në politikëbërje, si dhe të zhvillohen programe dhe emisione në media me qëllim të prezantimit dhe pasqyrimit të gjendjes së tyre në Kosovë.