Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Marte, 16.07.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtuan dhe u përkrahën në parim këto projektligje, për plotësim ndryshime: Projektligji nr. 04/L-219 për të Huajt, Projektligji nr. 04/L-217 për Azil, Projektligji nr. 04/L-216 për bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të përfshira në menaxhimin e integruar të kufirit, Projektligji nr. 04/L-218 për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, Projektligji nr. 04/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, si dhe Projektligji nr. 04/L-215 për Shtetësinë e Kosovës.
Pas diskutimit të anëtarëve të komisionit lidhur me këto projektligje, disa nga të cilët kritikuan faktin se procedura e përshpejtuar për miratimin e ligjeve nuk po lejon Kuvendin të kryejë punën e vet siç duhet, anëtarët e komisionit formuan grup pune për shqyrtimin e mëtejmë të këtyre projektligjeve.
Tutje, anëtarët e komisionit diskutuan dhe shfaqën shqetësimin e tyre edhe lidhur me gjendjen e sigurisë në rajonin e Karaçevës.
Me këtë rast ata u dakorduan që të kërkojnë informata nga KFOR-i, Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Policia e Kosovës lidhur me këtë çështje, ndërkaq, pas këtyre informatave ata do të vizitojnë banorët e rajonit të Karaçevës, për t'u informuar për së afërmi për gjendjen atje.

Gjatë mbledhjes anëtarët e komisionit u njoftuan nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, edhe lidhur me vizitën e komisionit në tryezën për mbikëqyrjen e sigurisë dhe intelegjences, që u realizua në Ohër, më 24-26 qershor, me ç‘rast u vlerësua si tejet e dobishme për komisionin parlamentar për siguri.

 

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së