Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 16.07.2013




Pas mospajtimeve në mes të anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK), përkatësisht, ushtruesit të detyrës së kryetarit të AKK-së, Ahmet Krasniqi dhe anëtarëve Gani Asllani e Halit Shabani, është vënë në rrezik seriozë funksionimi i AKK-së.

Kështu u konstatua sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri gjatë debatit lidhur me funksionimin e AKK-së. Në këtë mbledhje, të cilën e kryesoi Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, anëtarët e AKK-së drejtuan akuza e kundërakuza të shumta në mes vete. Duke njoftuar për mënyrën e zgjedhjes së tij si ushtrues detyre i drejtorit të AKK-së, Ahmet Krasniqi tha se zgjedhja e tij është bërë me vendim të drejtorit të mëhershëm të AKK-së, Osman Ejupi. Ndërsa, anëtarët e tjerë të këtij autoriteti: Gani Asllani e Halit Shabani, konsideronin se kjo zgjedhje është e jashtëligjshme. Duke e kontestuar vendimin e drejtorit të mëhershëm të AKK-së, Asllani e Shabani, u shprehën se vendimin për këtë pozicion, Krasniqi ia ka dedikuar vetes pa u konsultuar me stafin brenda AKK-së. Krasniqi, u shprehën ata, është vetë-emëruar. Përpos që u kontestua pozicioni i ushtruesit të detyrës së drejtorit të AKK-së, gjatë debatit që u zhvillua kryesisht në mes anëtarëve të këtij autoriteti, u vunë re mangësi të mëdha për sa i përket edhe funksionimit të këtij autoriteti. Me këtë rast, u vërejt se AKK-ja po thuajse gjatë tre muajve të fundit nuk ka qenë as për sëafërmi në nivel të detyrës që i ngarkon Ligji. Shkas i kësaj gjendje të rëndë po ashtu u konstatua edhe mungesa e dy anëtarëve të këtij autoriteti, për të cilën u tha se i ka takuar Qeverisë të procedojë me përzgjedhjen e tyre.

Pas kësaj, Komisioni vendosi të formojë një grup prej tre vetash i cili do të formulojë rekomandimet, për të cilat Komisioni do të vendosë në mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi edhe Projektligjin për tregtinë e mallrave strategjike, i cili do të procedohen tutje për lexim të dytë në mbledhje plenare të Kuvendit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...