Lajmet e fundit

Nga mbledhjet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Hënë, 15.07.2013




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, në mbledhjen e sotme të parë, ka shqyrtuar Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Punëve te Brendshme, për vitin 2012, si dhe Raportin e auditimit-menaxhimi i prokurimit në Policinë e Kosovës, për vitin 2012.

Fillimisht anëtarët e komisionit ngritën shqetësimin e tyre rreth të gjeturave të auditorit gjatë shqyrtimit të Raportit të Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për vitin 2012, duke vlerësuar se nga viti paraprak dy rekomandime janë adresuar, ndërkaq 8 sosh janë në proces. Më tej, u tha se 60 për qind e buxhetit është shpenzuar vetëm në tre mujorin e fundit. Po ashtu, ata shfaqën shqetësimin e tyre edhe rreth 43 pozitave si ushtrues detyre në këtë ministri, duke theksuar faktin se kjo është kundërligjore.
Megjithatë, disa nga anëtarët e komisionit theksuan se në disa fusha të caktuara ka pasur avancime krahasuar me vitet paraprake dhe se njësia e auditorit të brendshëm është duke funksionuar mirë.
Pas shqetësimeve që u ngritën nga anëtarët e komisionit, me theks të veçantë për borxhet, shpenzimet e buxhetit dhe kontratat, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, duke u përgjigjur në pyetjet e tyre vlerësoi se përgjatë vitit 2012 në këtë ministri janë shënuar përmirësime të dukshme sa i përket menaxhimit të financave, por ai nuk e mohoi faktin se në fusha të caktuara ka pasur edhe ngecje, ndërsa sa i përket çështjes së borxhit ai tha se tashmë është realizuar shumica e pagesave, në investime kapitale apo investime tjera.
Tutje, zv.Auditori i Përgjithshëm, Artan Venhari, tha se në këtë institucion ka lëvizje pozitive, duke përmendur edhe funksionimin e njësisë së auditorit të brendshëm, siç tha ai, është rritur.

Në vijim të takimit, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe Raportin e auditimit-menaxhimi i prokurimit në Policinë e Kosovës, për vitin 2012, për të cilën çështje përveç ministrit Rexhepi foli edhe Drejtori i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse në Policinë e Kosovës, Fahredin Vërbovci, për çështjet që u ngritën, lidhur me servisimin e automjeteve, pastrimin dhe shërbimin teknik të flotës, etj.
Me këtë rast, Verbovci, theksoi se flota e makinave është mjaft e madhe duke sqaruar se janë mbi 1000 lloje të ndryshme të makinave dhe shtoi se menaxhimi i tyre është tejet i vështirë, duke u zotuar në fund se ata do t'i kryejnë të gjitha obligimet e tyre ligjore.
Edhe ministri Rexhepi po ashtu u zotua se raporti i ardhshëm i auditorit do të jetë më i mirë.

Me këtë rast anëtarët e komisionit kërkuan nga MPB-ja dhe Policia e Kosovës, Pan Veprimi për adresim të rekomandimeve, të cilat duhet të dorëzohen në afat prej tre muajsh.


Në mbledhjen e sotme tjetër të radhës, anëtarët e komisionit shqyrtuan Raportin Vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin 2012, në të cilin takim morën pjesë Kryetari i Bordit të RTK-së, Rrahman Paqarizi, si dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, të cilët u përgjigjën në pyetjet e anëtarëve të komisionit, me theks të veçantë për paditë ndaj RTK-së dhe borxhet. Sa i përket borxheve, përfaqësues të RTK-së sqaruan se deri më tani janë kthyer rreth 1 milion e 800 mijë euro borxhe.

Anëtarët e Komisionit gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të RTK-së, theksuan se RTK-ja nuk duhet të angazhojë kompani private për auditim dhe se për këtë çështje duhet të angazhojë ZAP-in, duke theksuar më tej faktin se duhet të bëhet plotësim ndryshimi i ligjit.

Me këtë rast anëtarët e komisionit përkrahën raportin si dhe tri rekomandime të dala nga komisioni, me ç‘rast do të procedohet në Kuvend. Mes tjerash u theksua se RTK-ja në afat prej tre muajsh duhet të dorëzoj Planin e Veprimit rreth adresimit të rekomandimeve të dala nga Zyra e Auditimit. Ndërsa, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të bëjë një auditim të performancës së RTK-së. Më tej u kërkua që Qeveria e Kosovës të merr nismën për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të RTK-së.

 

Nga mbledhjet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave PublikeNga mbledhjet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike