Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

E Premte, 12.07.2013




Kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi kryetar i Kuvendit të Kosovës, deputetët vazhduan sot me mbledhjen e rregullt plenare. Në këtë mbledhje, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, deputetët shqyrtuan një projektligj në lexim të parë dhe një lexim të dytë si dhe disa raporte të komisioneve e agjencioneve të pavarura.

Fillimisht, deputetët miratuan Projektligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Raportin me rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me këtë projektligj, e paraqiti kryetarja, Safete Hadërgjonaj. Ndërkaq, Projektligji për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë si dhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, që ka të bëjë me vendimin e presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, u shtynë për një mbledhje tjetër.

Pas kësaj, me shumicë votash, deputetët miratuan në parim Projektligjin për sistemin e lejeve dhe licencave, të cilin e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave, Besim Beqaj. Pas deklarimit të shefave të grupeve parlamentare dhe kryetarëve të komisioneve përkatëse, në vijim të kësaj mbledhje, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi edhe këto raporte: Raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2012, Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për masat mbrojtëse në importe si dhe Raportin vjetor të performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2012.

Shqyrtimin e Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar, ndërkaq, seanca vendosi ta bëjë në mbledhjen e radhës. Ky vendim u mor pas mocionit të ngritur nga Grupi Parlamentar i LDK-së, të cilin e paraqiti kryetari i grupit, Ismet Beqiri. Duke folur për arsyeshmërinë e mocionit, Beqiri vuri në dukje mungesën e ministrit të Ministrisë së Financave dhe atij të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në seancë.

Pas kësaj, Kuvendi procedoi me zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës. Propozimet e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, i paraqiti deputeti, Sali Morina, i cili njoftoi se të propozuarit e këtij Komisioni janë dy kandidatë: Idriz Blakaj dhe Sefer Goxhuli. Pas votimit të fshehtë, Komisioni Votues konstatoi se nga 83 deputetë të pranishëm, Idriz Blakaj ka arritur të sigurojë numrin më të madh të votave (50), ndërsa kandidati Sefer Goxhulli, kishte siguruar 22 vota të deputetëve. Komisioni konstatoi 11 vota të pavlefshme.

 

 

Nga vazhdimi i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit