Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit

E Enjte, 11.07.2013




Në fillim të kësaj mbledhje, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti) deputetët në një procedurë të përshpejtuar bënë edhe shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Amnistinë. Për shqyrtimin e dytë të këtij Projektligji, deputetët vendosën pas kërkesës së shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, i cili propozoi futjen e tij në rend dite. Pas kësaj, seanca vendosi për shmangieje nga Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe vijoi me shqyrtimin e projektligjit si pikë e parë e rendit të ditës. Në emër të Komisionit për Legjislacion, kryetari Arben Gashi, paraqiti Raportin e Komisionit nga mbledhja e sotme për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit në lexim të dytë. Më pas, me anë të votës u deklaruan deputetët, të cilët me 90 vota për, 17 kundër dhe një abstenim, miratuan Ligjin për Amnistinë.

Në vijim, u shqyrtua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për
Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, të cilin e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Financave, Besim Beqaj. Lidhur me këtë, ai tha:" Buxheti i propozuar për rishikim, ofron shërbime dhe iniciativa që kanë mbështetje financiare dy herë e gjysmë më shumë se buxheti i para gjashtë viteve". Pas kësaj, u deklaruan shefat e grupeve parlamentare, ku u vunë re dallime në mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Pas debatit, kryesuesi e hodhi në votim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, me ç'rast deputetët me shumicë votash e miratuan në parim.

Pas kësaj, seanca ndërpreu punimet për të vazhduar nesër nga ora 10:00.

 

Nga mbledhja e rregullt e KuvenditNga mbledhja e rregullt e KuvenditNga mbledhja e rregullt e KuvenditNga mbledhja e rregullt e Kuvendit