Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 11.07.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit ( një pjesë të saj e ka kryesuar nënkryetari, Xhavit Haliti), ka shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për amnistinë . Fillimisht kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar nga deputetët që të votojnë për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit, pasi që projektligji në fjalë nuk ka plotësuar kushtet ligjore për shqyrtim (dy javë kohë për shqyrtim nëpër komisione). Deputetët me shumicë votash kanë votuar për shmangi nga Rregullorja .

Projektligjin për amnistinë e pa arsyetuar para deputetëve zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili është shprehur se e mban të njëjtin qëndrim, sikurse në seancën e shkuar kur e pati arsyetuar projektligjin me të njëjtin emër, i cili nuk pati marrë numrin e mjaftueshëm të votave. Duke pohuar se kyprojektligj përmban parimet kryesore për të qenë i mirë: është në përputhje me interesat e qytetarëve; i përmbush standardet ndërkombëtare dhe, siç është shprehur ai, popullit i bie tamam, ka kërkuar nga deputetët që ta miratojnë këtë projektligj.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, ka kërkuar gjithashtu që të miratohet ky projektligj.

"Vullneti i përgjithshëm i Partisë demokratike të Kosovës dhe i grupit të saj parlamentar është që ta përkrahim këtë projektligj, i cili shpartallon strukturat ilegale , siguron integritetin territorial të vendit dhe integron qytetarët", është shprehur Behar Selimi, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së.

Duke u shprehur i kënaqur se në ndryshimet e projektligjit janë marrë parasysh kërkesat e Grupit Parlamentar të LDK-së: mosamnistimi i veprave penale kundër jetës dhe trupit , si dhe mospërfshirja në amnisti e pasurimit të paligjshëm të qeveritarëve dhe i familjarëve të tyre, Haki Demolli ka theksuar se deputetët e LDK-së e mbështesin këtë projektligj.
Deputetja e Vetëvendosjes!, Albulena Haxhiu, ka theksuar se asnjërin nga kushtet që i atribuohen nga zv.kryeministri Kuçi, nuk i plotëson Projektligji për Amnistinë: " Ai është në kundërshtim të interesit të qytetarëve; është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe popullit nuk i bie tamam", është shpreh deputetja, duke theksuar se qëllimi i projektligjit është amnistimi i krimeve në veri dhe i krimit të organizuar në Kosovë.

Duke e ripërsëritur edhe në këtë seancë se Grupi Parlamentar i AAK-së e mbështet miratimin e këtij projektligji, Ardian Gjini, ka tërhequr vëmendjen se amnistinë nuk po e bën Serbia, por po e bën Kosova për një pjesë të qytetarëve të saj.

Duke i dhënë mbështetje projektligjit në emër të Grupit Parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani, ka shprehur kënaqësinë e saj për heqjen nga projektligji të nenit 3.

Petar Miletiq, në emër të Grupit Parlamentar (SLS) e ka mbështetur miratimin e këtij projektligji, duke e vlerësuar atë si kusht për përfundimin edhe juridik të konfliktit dhe të eliminimit të frikës së qytetarëve të pjesë veriore për hakmarrje voluntariste nga pjesëtarët e popullsisë shumicë në Kosovë.

Mbështetje projektligjit i ka dhënë edhe Goran Marinkoviq (ZB).

Në vazhdim të seancës ka pasur diskutime të shumta për projektligjin për amnistinë. Derisa shumica e deputetëve të grupeve parlamentare që i kanë dhënë mbështetje këtij projektligji, kanë mbajtur qëndrime të ngjashme me shefat e grupeve të tyre parlamentare, deputetët e Vetëvendosjes! an-bllok kanë qenë kundër miratimit të projektligjit. Kështu, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga ky subjekt, Glauk Konjufca, e ka quajtur amnistinë si pakt ndërmjet shtetit dhe qytetarit, në periudhat paskonfiktit. Ligjit për amnistinë të sponsorizuar nga ekzekutivi i vendit e ka quajtur kontratë të Qeverisë së Kosovës me Beogradin dhe jo me popullin e Kosovës.

Në përfundim të debatit deputetët me shumicë votash ( 91 "për" dhe 17 "kundër") e kanë miratuar në parim Projektligjin për amnistinë, duke e autorizuar Komisionin për Legjislacion që sa më parë ta shqyrtojë projektligjin në fjalë dhe Kuvendit t'ia paraqesë raportin me rekomandime.

Nga mbledhja plenare e Kuvendit Nga mbledhja plenare e Kuvendit