Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 10.07.2013
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin Vjetor të Qeverisë për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, për vitin 2012. I ftuar ne këtë mbledhje ishte edhe Ministri i Financave z. Besim Beqaj.
Komisioni ka vlerësuar se ka rritje të lehtë të numrit të auditimeve, sikurse ka rritje të numrit të njësive të auditimit të brendshëm dhe të numrit të komiteteve të auditimit. Kjo është tregues pozitiv për zbatimin e Ligjit për auditim të brendshëm. Auditimi i brendshëm ka avancuar krahasuar ne vite, është thënë në takim, duke tërhequr vëmendjen se mbetet akoma sfide auditimi i institucioneve buxhetore të cilat nuk i plotësojnë kushtet ligjore për auditorë të brendshëm.
Komisioni ka përkrahur Raportin Vjetor të Qeverisë për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, për vitin 2012 dhe të njëjtin i ka rekomanduar Kuvendit për miratim.