Lajmet e fundit
Kurti priti deputetin zviceran , Darbellay
E Hënë, 08.07.2013
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti, e ka pritur sot deputetin e Parlamentit të Zvicrës, Christophe Darbellay (njëherësh kryetar i Partisë Popullore Kristiane), i cili shoqërohej nga Patric Voller, Sekretar Ndërkombëtar i Partisë popullore të Austrisë dhe dy përfaqësues të ambasadës së Zvicrës në Kosovë.
Në takim është biseduar për zhvillimet në Kosovë , për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për rolin e bashkëkombësve tanë për zhvillimin ekonomik të vendeve pranuese dhe për kontributin që mund të japin në investimet ekonomike në Kosovë.
Duke u uruar mirëseardhje në vendin tonë dhe falënderuar për gjithë ndihmën dhënë Kosovës dhe popullit të saj në faza të rëndësishme të historisë më të re, Kurti, u ka shpjeguar mysafirëve aspekte të zhvillimeve në Kosovë, duke konstatuar se në këto pesë vjetët e pavarësisë së Kosovës kanë mundur të arriheshin rezultate shumë më të mira për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Pos ngecjes në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mosushtrimin e plotë të sovranitetit shtetëror dhe territorial të vendit, Kurti ka spikatur korrupsionin e lartë në institucionet e Kosovës dhe pasurimin e shpejtë të elitës politike e shtetërore. Ai ka veçuar me këtë rast investimet e pakta që ndahen për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovës, shpenzimet e larta dhe jofitimprurëse në asfaltimin e rrugëve, ndërkohë që mungojnë investimet në kapacitetet prodhuese të vendit. Kurti, ndërkaq ka përmendur faktin që në ndërkohë që drejtuesit e Qeverisë së Kosovës e përdorin parrershtur sloganin "shtet ligjor", ndajnë mjete minore financiare për sistemin gjyqësor dhe prokuroria të Kosovës.
Deputeti zviceran, Darbellay, i njohur për raporte të mira me shqiptarët që jetojnë në Zvicër, ka pranuar kontributin e bashkëkombësve tanë që jetojnë në këtë vend për ngritjen ekonomike të Zvicërs dhe të gjitha vendeve të tjera pranuese perëndimore.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar se çështja e pensioneve të bashkatdhetarëve tanë në Zvicër, të cilët për vite kanë paguar kontributet shoqërore, duhet të zgjidhen konform qëndrimit të Sindikatës UNIA. Ata janë pajtuar gjithashtu se duhet të krijohen lehtësi dhe të nxiten investimet e kapitalit të bashkëkombësve tanë në vendet perëndimore për investime ekonomike në Kosovë.