Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 08.07.2013
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që këtë javë të mbahen dy seanca të rregullta parlamentare.
Në seancën e së enjtes, më 11 korrik, 2013, pos pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për Amnistinë ( të risjellë nga Qeveria, pas heqjes së nenit 3).
Për procedimin e këtij projektligji në seancë janë pajtuar shumica e pjesëmarrësve në këtë takim, pos përfaqësuesve të Grupit Parlamentar Vetëvendosje!, të cilët e kanë kundërshtuar si dhe nënkryetarit, Sabri Hamiti, i cili ka tërhequr vëmendjen se Projektligji në fjalë doemos duhet të kishte kaluar paraprakisht në Komisionin për Legjislacion.
I ka mbetur seancës që të vendos për procedimin e këtij projektligji , si dhe për shqyrtimin e tij të dytë në një seancë të re.
Në seancën e pasdites së të njëjtës ditë, do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-165 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, si dhe edhe Projektligji për sistemin e lejeve dhe licencave. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr. 03/L-221 dhe nr. 04/L-116, si dhe Projektligji për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjin nr. 04-L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, Raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2012, Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për masat mbrojtëse në importe, Raporti vjetor i performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2012, si dhe Raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor Parlamentar.
Në përfundim të kësaj seance parashihet që deputetët të zgjedhin drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës.
Kryesia dhe shefat e grupeve parlamentare janë njoftuar me Rekomandimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vitin 2012. Performanca e Kuvendit lidhur me pasqyrat financiare në këtë raport vlerësohet e shkëlqyeshme.
Pasi e ka shqyrtuar kërkesën për procedimin e i Projektligjit për fshatin Zym i Hasit, Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor që ta shqyrtojë Projektligjin në fjalë dhe Kuvendit t'ia paraqesë Raportin preliminar, para shqyrtimit të tij të parë.
Në mbledhje është shqyrtuar edhe Iniciativa qytetare për fillimin e nismës ligjore për ndryshimin dhe plotësimit të Ligjit nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit.
Ka mbetur, ndërkaq, të diskutohet edhe një herë kërkesa e deputetit Kurtan Kajtazi, mbështetur nga deputetët nënshkrues, për debat parlamentar lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, roli i EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit, Rekomandimi i Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike lidhur me Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2012, si dhe informata për gjendjen në Qendrën Administrative Protokollare në Gërmi.