Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 04.07.2013
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, ka shqyrtuar Projektligjin për amnistinë dhe rekomandimin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për procedimin e Projektligjit për transplantimin e organeve.
Mbledhja filloi me pikën e zakonshme, diskutime jashtë rendit të ditës, pas shterjes të së cilës, deputetët shtruan pyetje në adresë të anëtarëve të kabinetit qeveritar. Pyetjeve parlamentare iu përgjigjën ministrat: Besim Beqaj dhe Ferid Agani.
Më pas, me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, u procedua për votim, për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit për dy projektligje. Deputetët përkrahën kërkesën për shmangie nga rregullorja për shqyrtimin e parë të Projektligjit për amnistinë, ndërsa nuk e përkrahën atë për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013. Rrjedhimisht, ky projektligj u hoq nga rendi i ditës dhe do të shqyrtohet në procedurë të rregullt parlamentare.
Në vazhdim, deputeti Lutfi Haziri, në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkoi heqjen nga rendi i ditës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kufijtë administrativë të komunave. Pas diskutimeve rreth kësaj kërkese, në emër të qeverisë projektligjin e tërhoqi nga procedura parlamentare kryeministri Hashim Thaçi.
Kuvendi procedoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për amnistinë, të cilin e paraqiti zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi bëri një elaborim të iniciativave për hartimin e këtij projektligji dhe u ndal në disa aspekte përmbajtësore të tij. Ai tha se ky projektligj nuk përmban ndarje territoriale e as etnike dhe shtoi se nuk do t'ia lejonte vetes që të propozonte ligj i cili do t'i takonte vetëm një pjese të vendit apo një komuniteti.
Kuçi tha se nëpërmjet këtij ligji tregohet humaniteti përballë qytetarëve, por edhe ky humanizëm, sipas tij, duhet ta ketë një shkallë të caktuar.
Për shkak të vërejtjeve të deputetëve, Kuçi është shprehur i hapur të bashkëpunojë për ndryshimin e disa neneve të tij.
Rekomandimin e Komisionit funksional për Legjislacion për miratimin në shqyrtim të parë të këtij projektligji, e prezantoi zëvendëskryetari i këtij komisioni, Behar Selimi.
Deputeti Halit Krasniqi, ndërkaq, paraqiti qëndrimin e GP të PDK-së për miratimin e tij, por edhe vërejtjet e caktuara në disa pjesë të projektligjit. Ai potencoi disa ndryshime që duhet të bëhen në përmbajtjen e tij gjatë fazës së amendamentimit në komisionin funksional.
Në emër të GP të LDK-së, përkrahjen për këtë projektligj e konfirmoi deputeti Haki Demolli, por, gjithashtu, identifikoi edhe mangësi të theksuara në përmbajtje, duke potencuar nevojën për eliminimin e tyre gjatë fazës së shqyrtimit në komision.
Deputetja Albulena Haxhiu, ndërkaq, shpalosi qëndrimin e GP të Vetëvendosjes kundër këtij projektligji, duke vlerësuar se ky projektligj është kundër drejtësisë, kundër barazisë dhe kundër të drejtave të qytetarëve tanë. Ajo tha se projektligji është tejet i dëmshëm dhe i njëjti e bënë sistemin juridik në Kosovë anormal.
Kryetari i GP të AAK-së, Ardian Gjini, tha se ky projektligj buron nga problemi i veriut, por vlerësoi se duhet të kihet kujdes me pjesën tjetër të tij. Duke i dhënë përkrahje këtij projektligji në këtë fazë, ai tha se "ne nuk guxojmë ta amnistojmë vetveten".
Edhe kryetarja e GP të KKR-së konfirmoi përkrahjen e grupit që ajo udhëheq për projektligjin dhe vlerësoi se qëllimi i tij duhet të jetë integrimi i veriut. Ajo insistoi që ligji t'i shërbejë qëllimit për të cilin është destinuar.
Projektligjit i dhanë përkrahje edhe deputetët e dy grupeve parlamentare nga komunitetit serb, Petar Miletiq (SLS) dhe Goran Marinkoviq (ZB).
Debati për projektligjin vazhdoi me diskutimet e deputetëve: Nait Hasani, Armend Zemaj, Alma Lama, Fatmir Xhelili, Teuta Sahatqija, Glauk Konjufca, Arsim Bajrami, Rexhep Selimi, Burim Ramadani, Ramiz Lladrovci, Liburn Aliu, Arben Gashi, Halit Krasniqi, Florin Krasniqi, Hydajet Hyseni, Afrim Kasolli, Ramë Vataj, Albin Kurti, Ganimete Musliu, Visar Ymeri, Flora Brovina.
Nënkryetari Sabri Hamiti, tha se çdo votim i tillë me dy të tretat, është votim kushtetues. Ky projektligj, sipas tij, është problematik dhe ka interpretime të dyanshme.
Pas shterjes së debatit, projektligji u procedua për votim, por nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave, prej dy të tretave, aq sa nevojiteshin për miratimin e tij. (Për miratimin e projektligjit votuan 70 deputetë, 21 kundër dhe 2 abstenuan).
Me një votë formale, ndërkaq, Kuvendi miratoi rekomandimin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në bazë të kërkesës së ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, në cilësi të sponsoruesit, për tërheqjen nga procedura parlamentare të Projektligjit për transplantimin e organeve.