Lajmet e fundit
GGD-ja priti një delegacion të grave nga Suhareka, Skenderaj dhe Novobërda
E Marte, 02.07.2013
Grupi i Grave Deputete priti një delegacion të grave nga Suhareka, Skenderaj dhe Novobërda. Ky takim u zhvillua në vazhdën e takimeve dhe punëtorive të shumta që Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me NDI-në, po i zhvillon me asamblistet në komuna, me qëllim të inicimit të zhvillimit të komunave duke, aplikuar edhe buxhetimin gjinor.
Delegacionit të asamblisteve iu drejtua kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, e cila u shpreh e lumtur që puna dhe angazhimi i përbashkët po fillojnë të japin efektet e para dhe së shpejti edhe rezultatet. Ajo tha se buxhetimi gjinor do t'i sjell të mira jo vetëm grave siç perceptohet nganjëherë, por ky ndikon në të mirën e përgjithshme të komunës e nga njëherë edhe më gjerë.
Për projektet e Komunës së Novobërdës foli kryesuesja e Kuvendit të Novobërdës, Shefkie Mehmeti e cila tha se meqë Novobërda merret me prodhime, si: fruta, fruta të malit, prodhime të qumështit etj., është ndërmarrë iniciativa që të hapet një fabrikë për paketimin e këtyre produkteve dhe kjo do të mundësonte plasimin e produkteve në treg me lehtë. Nga ky projekt, sipas saj, do të peritonin jo vetëm gratë, por shumë familje të kësaj komune.
Për komunën e Skenderajt foli Mirella Çitaku e cila se duke parë gjendjen jo të mirë të shëndetit oral, por edhe të shëndetit në përgjithësi të fëmijëve në Skenderaj, është ndërmarrë iniciativa për sigurimin e kontrollit sistematik të shëndetit të nxënësve nëpër shkolla.
Deputeteja Kimete Bytyçi, ndërkaq, tha se deputetet nga Suhareka, bashkë me asamblistet e kësaj komune, kanë ndërmarrë iniciativën dhe kanë paraqitur projektin për përkrahjen e personave me aftësi të kufizuar, projekt i cili përfshin rehabilitimin, arsimimin (madje edhe sigurimin e bursave) dhe punësimin e kësaj kategorie.
Në diskutim morën pjesë edhe deputetet: Teuta Haxhiu dhe Suzan Novobërdali.