Lajmet e fundit
Me rastin e 237-vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve
E Mërkure, 03.07.2013
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi e ka uruar kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. John Boehner, me rastin e 237 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve.
Në telegramin e urimit të kryeparlamentarit Krasniqi thuhet:
"I nderuar Zoti John Boehner,
Me rastin e dyqind e tridhjetë e shtatë vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emrin tim dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë t'ju përcjell urimet më të sinqerta, Juve dhe tërë popullit amerikan.
Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe parlamenteve tona, shpreh bindjen që ato do të thellohen dhe zgjerohen në vazhdimësi. Me këtë rast, dëshiroj edhe njëherë t'ju siguroj për vullnetin dhe dëshirën tonë për bashkëpunim midis Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Shfrytëzoj këtë rast t'ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë për gjithë ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e saj shtetërore kanë dhënë për Kosovën në këto vite vendimtare të historisë së saj.
Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë."