Lajmet e fundit
Kryetarja e GDR-së, Musliu, priti përfaqësuesit e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor të Kosovës
E Mërkure, 03.07.2013
Kryetarja e Grupit të Deputetëve të Rinj, Ganimete Musliu, ishte nikoqire e takimit me përfaqësuesit e Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, të të cilin u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit konkret në shumë sfera që lidhen me sektorin rinor.
Kryetarja Musliu paraqiti një rezyme të punës së GDR-së, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të GDR-së në adresimin e problemeve që kanë të bëjnë me të rinjtë, veçanërisht në adresimin e të arriturave dhe sfidave konform Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë. Kryetarja Musliu ofroi përkrahjen e saj ndaj KQVR-së dhe KVRL-ve në përgjithësi, nëpërmjet koordinimit të aktiviteteve, me qellim të ngritjes së kapaciteteve të strukturave rinore në vend, duke i shndërruar në faktorë të zhvillimit dhe avancimit të interesit rinor pa dallim.
Kryetari i Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, Murat Murati, shfaqi interesimin që KQVR-ja të vazhdojë bashkëpunimin me Grupin e Deputetëve të Rinj edhe në të ardhmen, me qëllim të koordinimit të nismave që kanë të bëjnë me monitorimin e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë dhe amandamentimit të tij. Në këtë kontekst, ai informoi kryetaren Musliu për zhvillimet e fundit në KQVR, që përfshijnë takimet regjionale, konferencat dhe planet tjera që kanë të bëjnë me promovimin e strategjisë së KQVR-së dhe dokumenteve tjera të interesit strategjik.