Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Marte, 02.07.2013
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e dytë të ditës së sotme, ka diskutuar rreth sistemit të menaxhimit të pasurisë.
Për trajtimin e kësaj çështje, në mbledhje ishin të pranishëm: zv/ministri i Administratës Publike, Hajredin Hyseni, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Kryetari i komisionit, Aliu Sadriu, i cili udhëhoqi mbledhjen, kërkoi sqarime nga përfaqësuesit e ministrive lidhur me punën e deritashme të grupit teknik në ndryshimet e sistemeve për menaxhimin e pasurisë.
Drejtori i Departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave, Fatmir Plakiqi, bëri një rezyme të punës së këtij grupi dhe të rekomandimeve që kanë dalë si rezultat i analizës së funksionimit të këtyre sistemeve.
Ishte qëndrim njëzëri i të pranishmëve që ndryshimet të cilat do të bëhen në këto sisteme të thjeshtësojnë mënyrën e regjistrimit të pasurisë nga ana a organizatave buxhetore dhe të eliminojnë punën e dyfishtë.
Përkitazi me këtë, komisioni kërkoi se deri në mesin e muajit shtator të nxirret udhëzimi i ri administrativ.