Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Hënë, 01.07.2013
Tërheqja nga procedura parlamentare e Projektligjit për transplantimin e organeve, projektligjet në procedurë dhe kërkesat buxhetore për sektorin e shëndetësisë, ishin disa nga temat për të cilat ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Ferid Agani, ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Fikrim Damka, kryetar.
Duke e arsyetuar tërheqjen e Projektligjit për transplantimin e organeve, ministri Agani vlerësoi se kjo ka ardhur pas takimeve me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë. Ai shfaqi shpresën që pas krijimit të parakushteve brenda sistemit publik shëndetësor për zbatimin e të gjitha shërbimeve cilësore për transplantimin e organeve, duke marrë parasysh edhe propozim-amendamentet e komisionit funksional, gjatë vitit të ardhshëm projektligji do të sillet serish në Kuvend.
Duke u përgjigjur në interesimin e anëtarëve të komisionit për mundësinë e tërheqjes nga procedura parlamentare edhe të Projektligjit për transplantimin e indeve dhe qelizave, ministri Agani theksoi se nuk ka asnjë indikacion për këtë dhe ofroi mbështetjen e ministrisë gjatë procesit të amendamentimit të tij nga ana e komisionit.
Ministri Agani arsyetoi edhe kërkesat për alokime buxhetore nëpër kategori të ndryshme, të cilat, sipas tij, imponohen veçanërisht nga hyrja në fuqi e Ligjit për Shëndetësinë.
Komisioni iu dha mbështetje këtyre kërkesave dhe i rekomandoi komisionit përkatës parlamentar përkrahjen e tyre.
Në këtë takim, ministri i Shëndetësi informoi komisionin edhe për masat që po ndërmerren në menaxhimin dhe vënien nën kontroll të situatës epidemiologjike nga pickimi i rriqrave, si dhe për një varg problemesh të tjera me të cilat përballet aktualisht sektori i shëndetësisë në Kosovë.