Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy

E Hënë, 01.07.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në takim presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, me të cilin ka biseduar zhvillimet aktuale në Kosovë, vendimin e Këshillit të Evropës (KE) për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën (MSA), ndihmën e Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën, zgjedhjet e ardhshme etj.

Duke i uruar z. Rompuy mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryetari Krasniqi shprehu falënderimet për të gjithë ndihmën që Bashkimi Evropian i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, dhe në mënyrë të veçantë, për vendimin e KE-së për hapjen e negociatave për MSA-në.

"Ky vendim është një dritare e madhe për Kosovën, e cila hapë perspektiva për liberalizimin e vizave për qytetarët dhe integrimin evropian të saj", theksoi kryeparlamentari Krasniqi, duke shtuar se rruga evropiane e Kosovës nuk ka alternativë.

Duke e konsideruar këtë një lajm të mirë për Kosovën, z. Rompuy falënderoi Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë dhe ofroi mbështetjen e Bashkimit Evropian për zbatimin e saj.

Kryetari Krasniqi, ndërkaq, shtroi nevojën e një ndikimi pozitiv mbi Serbinë nga ana e BE-së, për të realizuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërsa shfaqi interesimin e institucioneve të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në të mirë të të dyja vendeve dhe të rajonit në përgjithësi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës u ndal edhe në sfidat me të cilat përballen Kosova dhe qytetarët e saj, duke veçuar hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e rendit e të ligjit. Në këtë drejtim, kryetari Krasniqi kërkoi vazhdimin e ndihmës nga ana e Bashkimit Evropian.

Herman van Rompuy, ndërkaq, premtoi vazhdimin e mbështetjes financiare për Kosovën dhe agjendën ekonomike të saj.

Në takim i bisedua edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare në Kosovë. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se mbajtja e zgjedhjeve të lira e të drejta, ka rëndësi vitale për reputacionin e Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi priti presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van RompuyKryeparlamentari Krasniqi priti presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy