Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 01.07.2013
Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga nënkryetari i Komisionit Behar Selimi, shqyrtoi në parim Projektligjin për amnistinë. Gjatë debatit lidhur me këtë Projektligj, ndonëse u vunë re pakënaqësi të shumta me përmbajtjen e tij, anëtarët e Komisionit me shumicë votash e miratuan në parim atë dhe vendosën ta procedojnë tutje sipas Rregullores së Kuvendit. Për sa i përket grupit punues për këtë Projektligj, Komisioni vendosi që ta formojë atë pas shqyrtimit në parim të Projektligjit në mbledhje plenare.
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi edhe një kërkesë të një grupi grevist të të burgosurve në Burgun e Dubravës, e që kishte të bënte po ashtu me amnistinë. Lidhur me kërkesën e tyre për vizitë nga ana e Komisionit, u mor vendim që të burgosurit fillimisht të njoftohen me anë të një letre për procedurën e amendamentimit të Projektligjit, ndërkaq për sa i përket vizitës mbetet të shqyrtohet mundësia pasi që Projektligji të shqyrtohet në parim edhe në mbledhje plenare të Kuvendit.