Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 01.07.2013
Në mbledhjen e saj të dytë të sotme ( të mbajtur në orën 15:00, sipas kërkesës së disa nga shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës) Kryesia e Kuvendit, e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e rregullt parlamentare të mbahet, jo më 11 korrik, siç ishte përcaktuar në mbledhjen e paradites, por një javë më herët, të enjten, më 4 korrik.
Në orën 10:00 do të procedohet me pikat e papërfunduara të seancës së 27 qershor 2013: votimi i raportit të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës; votimi i Raportit të punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2012; si dhe votimi i propozimit të Grupit Parlamentar SLS dhe të Grupit Parlamentar ZB për ndërrimin e anëtarëve në komisionet parlamentare të Kuvendit.
Në orën 10:30 të së njëjtës ditë, në seancën e re të rregullt, do të procedohet sipas këtij rendi të ditës:
1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,
2. Koha për pyetje parlamentare,
3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-165 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-041 për kufijtë administrativ të komunave,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për amnistinë,
6. Rekomandimi i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për procedimin e Projektligjit për transplantimin e organeve.