Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Premte, 28.06.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga zv.kryetari i parë, Xhavit Haliti, pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Projektligjit nr. 04/L-170 për transplantimin e organeve, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Me këtë rast, u sqarua se ky projektligj është tërhequr nga Qeveria. Ndërkaq, Projektligji nr. 04/L-167 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të pronës, me raportin me rekomandime të komisionit funksional, është tërhequr nga rendi i ditës, meqë nuk është në fushëveprimin e komisionit.
Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe Projektligjin nr. 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Pas diskutimit të anëtarëve të këtij komisioni rreth këtij projektligji, anëtarët e komisionit përkrahën propozimin e anëtares së komisionit, Vjosa Osmani, që të shtohet një amendament i veçantë për njohjen e stazhit të punëtorëve që kanë punuar gjatë periudhës '89-'99.