Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Premte, 28.06.2013
Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, mbajti sot një dëgjim publik lidhur me amendamentimin e Projektligjit për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, nr. 04/L-137. Ky Projektligj rregullon çështjen e mbrojtjes së të drejtës së gazetarëve për të ruajtur burimin e informacionit, duke u bazuar në nenin 40 dhe 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në fillim të dëgjimit, z. Idriz Vehapi theksoi se ky Projektligj tashmë ka kaluar në leximin e parë në Kuvend. Për përmbajtjen dhe qëllimin e Projektligjit foli pastaj edhe deputetja Alma Lama, e cila është sponzoruese e tij. Ajo njëkohësisht falënderoi Komisioni për organizimin e këtij dëgjimi dhe thirrjen e përfaqësuesve të grupeve të interesit për të marrë pjesë në dëgjim. Në vijim ajo tha se Projektligji është hartuar mbi bazën e projektligjeve përkatëse nga Belgjika dhe Franca dhe është ndër më të avancuarit në këtë lëmë. Projektligji, tha ajo, mbron të drejtat e gazetarëve , madje edhe në gjendje të jashtëzakonshme.
Në vazhdim u zhvillua një debat i gjerë nga pjesëmarrësit, ndër të cilët merrte pjesë edhe ambasadori i Holandës në Kosovë , z. Robert Bosch. Pjesëmarrësit në debat dhanë shumë sugjerime e propozime në aspektin e pasurimit dhe qartësimit të përmbajtjes së Projektligjit. U tha se qëllimi i Projektligjit është që të rregullojë sa më mirë këtë segment, duke synuar që të mënjanojë çdo keqkuptim dhe keqinterpretim. Diskutuesit theksonin se duhet të kihet parasysh se ekziston edhe Projektligji për shpifje dhe fyerje, ndaj vëmendja duhet të përqendrohet posaçërisht në burimet e gazetarisë, të cilave edhe iu dedikohet Projektligji, i cili sipas folësve është hartuar mjaft mirë, ndërsa gjatë procedurës së mëtejme do të përsoset edhe më.
Në përfundim të debatit z. Idriz Vehapi theksoi se të gjitha vërejtjet e dhëna do të merren para sysh nga ana e grupit punues gjatë amendamentimit të Projektligjit.