Lajmet e fundit
Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit
E Enjte, 27.06.2013
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, ishte temë qendrore e debatit të sotëm në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi.
Sikurse në praktikën e deritashme edhe mbledhja e sotme filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: Deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Në pikën e parë të rendit të ditës, deputeti Zenun Pajaziti (PDK), ngriti shqetësimin për pengesat që i janë shkaktuar atij gjatë hyrjes në Kuvend nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të prirë nga deputetët e kësaj Lëvizje, të cilët mospajtimin për këtë Projektligj kishin vendosur ta shfaqin në formë të protestave. Mospajtim me këtë qëndrim të deputetëve të VV-së shfaqi edhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxha. Ndërsa deputeti Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së kërkoi që mbledhja të shtyhet për një kohë të caktuar (30 min.), derisa të krijohen kushte për pjesëmarrjen e deputetëve në mbledhje. Pas kësaj, kryetari i Kuvendit në mungesë të kuorumit për të vazhduar mbledhjen vendosi të deklarojë pauzën, duke sqaruar po ashtu se përgjegjës për të siguruar hyrjen në Kuvend janë organet kompetente e jo Kuvendi. Pas pauzës, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, të cilin para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili fillimisht tha:" Arritja e Marrëveshjes ndërlidhet me qëllimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të respektohet në tërësi obligimi kushtetues për zbatimin e pikës pesë të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë të aprovuar nga një shumicë e madhe demokratike e Kuvendit të Kosovës në tetor 2012". Në vijim të paraqitjes së tij, kryeministri u shpreh se dilemat dhe kundërshtimet rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë u rrëzuan kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha verdiktin me të cilin theksohet dhe argumentohet se shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ishte në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Pas kësaj, kryeministri Thaçi, shtoi:" Pavarësia e shtetit tonë dhe liria për qytetarët e Kosovës është e sigurt përgjithmon". Kemi qenë dhe jemi të vetëdijshëm, se arritja e synimit për paqe dhe siguri në Ballkan do të jetë e pasigurt pa njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e të gjitha vendeve fqinje përfshirë edhe Serbinë. Ne të gjithë, por besoj se edhe qytetarët e Kosovës, tha më tej kryeministri, e kanë ditur që nga fillimi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë fare i lehtë, theksoi Thaçi. Duke apeluar për mbështetje të marrëveshjes dhe falënderuar njëkohësisht deputetët për mbështetjen e deritashme gjatë këtij procesi, kryeministri i Qeverisë së Kosovës u shpreh:"Marrëveshja konfirmon sistemin unitar ligjor të Republikës së Kosovës si të vetmin autoritet ligjor në vend".
Pas kësaj u deklarun shefat e grupeve parlamentare. Në emër të PDK-së foli deputeti Behar Selimi, i cili fillimisht shprehi indinjatën për kërcënimet fizike që u janë bërë deputetëve, nga kolegët deputet të VV-së gjatë hyrjes në Kuvend, ndërkaq për sa i përket marrëveshjes ai tha se Grupi Parlamentar i PDK-së e mbështetë atë.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosvës foli, deputeti Arben Gashi, i cili tha se dilema për të votuar për ose kundër kësaj marrëveshjeje, është shumë e madhe, por, shtoi ai, vota kundër kësaj marrëveshje sjell një rrezik të paparashikueshëm. Duke arsyetuar qëndrimin në favor të kësaj marrëveshje, Gashi në vijim tha:" Qëndrimi kundër marrëveshjes, do të na vendoste për herë të parë në këto 25 vitet e fundit të luftës sonë për pavarësi në anën e kundërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, me përkrahësit e pavarësisë dhe të sovranitetit tonë". Në emër të Vetëvendosjes fjalën e mori deputeti Visar Ymeri, i cili duke paraqitur qëndrimin kundër marrëveshjes tha:"Asociacioni nuk është vetëm për komunat në veri, por për secilën vend në Kosovë me shumicë serbe që do të anëtarësohet në këtë Asociacion". Ndërkaq, Blerim Shala në emër të AAK-së, u shpreh:" Një shekull i historisë tragjike në relacion me Serbinë dhe 14 vite të plota të shkëputjes faktike të veriut nga Kosova, duhet të zhbëhet me jetësimin e kësaj marrëveshje". Në favor të marrëveshjes u deklarua edhe shefja e Grupt Parlamentar të KKR-së Myzejene Selamni, e cila u angazhua që kjo marrëveshje të zbatohet në përkrahje edhe të shteteve të BE-së. Po ashtu, edhe përfaqësuesi i SLS-së, Petar Miletiq, duke mos hyrë në detaje të marrëveshjes u shpreh në favor të saj, ndërkaq, u shpreh i shqetësuar për pengesat që i janë bërë atij nga protestuesit gjatë hyrjes në Kuvend. Për miratimin e marrëveshjes u deklaruan edhe përfaqësuesit e Grupit Parlamentar Zajedniqka Buduqnost, përkatësisht shefi i Grupit Zoran Marinkoviq si dhe përfaqësuesja e grupit 6 +, Myvera Shinik.
Pas kësaj u zhvillua një debat i ashpër lidhur me marrëveshjen, në të cilin ishin të përfshirë kryesisht deputetët e Vetëvendosjes. Për deklarimet e këtij Grupi Parlamentar, të cilët nuk i përmbaheshin rendit të ditës, reagoi edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai kërkoi prej tyre që të shfaqin sjellje parlamentare, dhe ua tërhoqi vërejtjen po ashtu që të mos praktikojnë sjellje të dhunshme në Kuvend. Për sjelljen e tyre jo parlamentare, Krasniqi u shpreh:"Kjo është përpjekje për të vendosur rend jodemokratik në Kuvend". Kur debati mori fund, ndërkaq, hedhja në votim e amendamenteve u pamundësua nga deputetët e Vetëvendosjes, të cilët rrëmbyen teknikën e zërimit para kryetarit të Kuvendit, duke deklaruar se s'do të ketë votim. Pas kësaj, në një atmosferë tejet të tensionuar, kreu i Kuvendit për të evituar përshkallëzimin e situatës së tensionuar, u përcaktua për pauzë deri në krijimin e kushteve për të proceduar me votimin.
Edhe pas pauzës, deputetët e VV-së përsëri u përpoqën të pengojnë votimin, ndërkohë u krijuan kushte për punë, ndaj kryeparlamentari procedoi me votimin. Me shumicë votash (84) , deputetët aprovuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.Deputetët kanë miratuar edhe tri amendamente për këtë marrëveshje. Sipas amendamentit 1.(të propozuar nga Komisioni për Legjislacion) nga emërtimi i marrëveshjesheqen heqen fjalët : " dhe të Planit të zbatimit për këtë marrëveshjeje".
Në vijim, deputetët shqyrtuan edhe dy raporte: Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Raportin e Punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2012. Në mungesë kuorumi, votimi për këto raporte do të bëhet në mbledhjen e radhës.